AKTUALITET, 7 Shtator 2023, 18:58

Vendimi/ Miratohet metodologjia për llogaritjen e kostos së studimit për ciklin e dytë “Mjekësi e Përgjithshme”

Vendimi/ Miratohet metodologjia për llogaritjen e kostos së studimit

Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar të enjten, është miratuar metodologjia e kostos së studimeve për programin e studimit të ciklit të dytë në fushën “Mjekësi e Përgjithshme”.

Sipas metodologjisë së publikuar dhe miratuar nga qeveria, përcaktohet mënyra se si këto institucione do të nxjerrin koston e studimit për një student. Sipas vendimit, Institucioni i arsimit të lartë publik, i cili ofron program studimi të integruar të ciklit të dytë në “Mjekësi e përgjithshme”, bazuar në metodologjinë përllogarit, çdo vit, në mënyrë të detajuar, koston e plotë për këtë program studimi. Shuma totale e shpenzimeve të përllogaritura për një vit buxhetor përpjesëtohet me numrin e studentëve, që ndjekin programin e studimit, për të vlerësuar koston për student. Kostoja e përllogaritur dhe e miratuar nga organet kolegjiale të IAL-së bëhet publike për studentët përpara fillimit të vitit akademik. Studenti, që ndjek programin e studimit të integruar të ciklit të dytë në “Mjekësi e përgjithshme” dhe plotëson kushtet sipas ligjit, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, ka të drejtën për çdo mbështetje tjetër, që nuk përfshihet në kostot e studimeve.

Sipas vendimit të sotëm të qeverisë, “Institucioni i arsimit të lartë publik, në përllogaritjen e kostos së studimit të programit “Mjekësi e përgjithshme”, merr në konsideratë kostot direkte dhe ato indirekte.

Sipas vendimit, kostot direkte përfaqësohen nga të gjitha shpenzimet, që parashikohen të kryhen në një vit buxhetor për ofrimin e shërbimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor e që lidhen drejtpërsëdrejti me numrin e kuotave të certifikuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, në vitin përkatës akademik të studimeve; Numrin e studentëve për një grup mësimor, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi; si edhe numrin e personelit akademik, të personelit ndihmës-akademik, të personelit administrativ e të punonjësve të shërbimeve mbështetëse të miratuar me vendim të organeve kolegjiale të IAL-së; shpenzimet (bruto) për personelin ku futen: paga, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që paguan punëdhënësi për personelin akademik, ndihmës-akademik, administrativ e atë të shërbimeve mbështetëse, si dhe shpërblime apo ndihma financiare, që përballohen nga fondi i veçantë, sipas kuadrit ligjor në fuqi; Shpenzimet për bursa dhe trajtime të tjera për studentët.

Kostot indirekte përfshijnë shpenzimet kapitale dhe shpenzime të tjera operative, që parashikohen të kryhen nga institucioni i arsimit të lartë, si: Shpenzime kapitale për ndërtime dhe rehabilitime të godinave, krijimin e infrastrukturës kapitale për realizimin e procesit të mësimdhënies e të mësimnxënies, përfshirë edhe infrastrukturën mësimore-didaktike dhe atë të kërkimit shkencor; Shpenzime operative për sigurimin e jetës së studentëve në shoqëritë e sigurimit, sigurimin e infrastrukturës fizike (godinave) dhe të bazës laboratorike e mësimore-didaktike, shpenzime për energjinë elektrike, ujin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe pastrimin e objekteve; Shpenzime për kancelari, karburant për ngrohje dhe mjete transporti, shpenzime për shërbime bankare, shpenzime për qira, pritje-përcjellje, si dhe shpenzime të tjera të institucionit të arsimit të lartë, të papërfshira më lart e që janë në funksion të shërbimit të mësimdhënies e të mësimnxënies dhe të kërkimit shkencor.

Në metodologji po ashtu bëhet me dije se ndarja e kostove direkte dhe indirekte, por pa u kufizuar në to, parashikohet në raportet e mëposhtme: Pjesa e shpenzimeve të personelit parashikohet në masën 75% – 80% të shpenzimeve/kostos totale të studimeve; Pjesa e shpenzimeve kapitale parashikohet në masën 10% – 15% të shpenzimeve të personelit; Pjesa e shpenzimeve operative parashikohet në masën 15% – 20% të shpenzimeve të personelit. Vendimi i qeverisë ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.