AKTUALITET, 10 Mars 2023, 15:21

Balluku: Synojmë ta kthejmë Shqipërinë në një vend eksportues neto të energjisë

Balluku: Synojmë ta kthejmë Shqipërinë në një vend

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në një konferencë që po mbahet për energjinë, është shprehur se Shqipëria ka pasur një fokus të shtuar në energji 4 vite më parë, pra ende pa nisur lufta dhe Ukrainë, e cila solli një krizë të madhe në këtë sektor.

Bulluku shtoi se synimi është që, Shqipëria nga një vend importues që është aktualisht, të bëhet në një vend ekspertues neto deri në vitin 2029.

“Ashtu siç ju e dini ne kemi nisur prej vitesh një strategji të mirëfilltë diversifikimi të burimeve energjetike në Republikën e Shqipërisë me një qëllim të saktë, me një qëllim të pastër para nesh i cili na frymëzon çdo ditë. Duam të kthejmë Shqipërinë nga një vend importues në një vend eksportues neto dhe kjo do të ndodhë deri në vitin 2029 sipas një roadmap-i të qartë me të gjitha programet dhe projektet që kanë nisur tashmë prej kohësh, por nga ana tjetër edhe me të gjithë investimet e sektorit privat që për thënë të drejtën tashmë janë të rëndësishme dhe nuk mund të jenë të pakonsiderueshme”, shtoi Balluku.

Sa i përket vitit që lam pas, Balluku tha se ai ka qenë një vit sfidues jo vetëm për Shqipërinë, por të gjithë botës, por shtoi se ka konstatuar me kënaqësi që askush nga BE apo Ballkani Perëndimor nuk u gjunjëzuan gjatë kësaj krize.

“Megjithatë unë do të ndalesha pak tek viti që lamë pas, një vit i cili sfidoi jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të stabilizuara prej kohësh me kapacitete të rëndësishme energjetike, vende që kontribuonin jo vetëm në zhvillimin e tyre rajonal, atje ku ndodheshin, por madje në të gjithë botën. Sfida energjetike nuk i dha imunitet askujt dhe të gjitha këto vende u sprovuan, ashtu si dhe Shqipëria. Megjithatë atë që unë konstatoj me shumë kënaqësi është se askush, as Bashkimi Europian, as Ballkani perëndimor dhe as vende të tjera nuk u gjunjëzuan gjatë kësaj krize, por në të kundërt të gjithë ne u motivuam, i frymëzuam për të gjetur instrumenta të rinj, për të krijuar burime alternative energjie dhe për të qenë të përgatitur për çdo krizë tjetër me të cilën mund të përballemi në të ardhmen”, theksoi ajo.