AKTUALITET, 28 Shkurt 2023, 19:57

Auditimi teknik do të “prekë” 122.690 ndërtesa banimi mbi 50-vjeçare, inxhinieri: Provën e tërmetit e kaluan me sukses

Auditimi teknik do të “prekë” 122.690 ndërtesa banimi
Erion Softa

Të paktën 122 690 ndërtesa për qëllime banimi do të preken nga vendimi për auditimin teknik, që parashikon qeveria për godinat mbi 50-vjeçare. Kjo shifër përfshin ato objekte që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar e që sipas projekt-vendimit, të zbardhur një ditë më parë, do të duhet t’i nënshtrohen ekspertizës së thelluar për të vlerësuar gjendjen teknike aktuale dhe kapacitetin mbajtës të objekteve.

Ndërkohë që, në rast se vlerësohet se nuk përmbushin kushtet teknike, i hapet rruga riparimit ose prishjes. Sipas INSTAT janë 44 195 ndërtesa për qëllime banimi të ndërtuara përpara vitit 1960 dhe 78 495 të tjera, të ndërtuara në periudhën 1961 -1980.

Ndërkaq, janë rreth 180 mijë ndërtesa të tjera, që nuk u njihet viti i ndërtimit e ku mund të bëjnë pjesë edhe godina mbi 50-vjeçare. Të ndara sipas qarqeve, rezulton se numrin më të lartë të këtyre ndërtesave e ka Tirana, Elbasani dhe Korça, ndërsa pas tyre vijnë Fieri, Vlora dhe Shkodra. Sipas projektvendimit të qeverisë subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërsa do të jetë ato subjekete që janë të pajisur me licencë në fushën e projektimit  për llojin e objektit që do të auditohet, raporton SCAN TV.

Ndërkohë që, vendimin final e ka Instituti i Ndërtimit, që duhet të kryejë oponencën, duke qenë se mendimi i tij, mbizotëron mbi aktauditimin teknik. Projekt-vendimi specifikon se vendimi për prishje të objektit mund të merret në rast se vlera për riparim është e barazvlefshme ose më e madhe se vlera për ndërtimin e tij, teksa nuk specifikon se çfarë do të ndodhë me truallin e godinës dhe pronarët e tyre.

Erion Softa, inxhinier ndërtimi dhe ish-drejtor i IKMT, është shprehur se këto godina banimi që do të inspektohen dhe më pas do vlerësohen nëse do prishen apo jo, një kompetencë që e merr Instituti i Ndërtimit, në fakt e kanë kaluar provën e tërmetit.

“Kanë kërkuar për godinat mbi 50 vjet, që kanë amortizim në kohë. Por ne vëmë re që këto godina gjatë tërmetit reaguan më mirë nga shumë të tjera. Provën e tërmetit e kaluan me sukses. Pavarësisht se ka dëmtime të strukturës nga banorët dhe bizneset poshtë"-tha Softa në emisionin "Task-force".