AKTUALITET, 28 Shkurt 2023, 19:40

“Do të prishë 96 mijë banesa në Tiranë”/ Berisha akuzon Ramën për auditimin e ndërtesave mbi 50-vjeçare: Do ta vendosë qytetin në dispozicion të klaneve të drogës

“Do të prishë 96 mijë banesa në Tiranë”/
Berisha në takimin e sotëm

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se me vendimin e fundit të qeverisë për rivlerësimin e ndërtesave mbi 50-vjeçare, ai po synon që të prishë mbi 96 mijë banesa në Tiranë.

Në një takim me demokratët e disa prej degëve të kryeqytetit, Berisha tha se qeveria ka për synim ta vendosë Tiranën në dispozicion të klaneve të drogës dhe oligarkëve.

"Sot ne jemi para një regjimi, i cili ka humbur çdo legjitimitet. Jemi para një regjimi për të cilin nuk ka më interesa për qytetarët, por për pasqyrimin e klanit të tij.

Vetëm dje, Edi Rama dhe qeveria e tij miratoi një vendim me të cilin ka me qëllim të prish 96 mijë banesa, dhe ti zëvendësojë me ndërtime të klaneve të drogës, të oligarkëve të tij. Pasi shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore të tërmetit, për pasurimin e tij dhe të klikës së tij, ju jeni dëshmitarë se si u shfrytëzua në Kombinat kjo fatkeqësi, tani nuk pret më.

I dha vetes karta-biankë, për të prishur çdo pallat, banesë, të cilën e konsideron fitimprurëse për veten dhe suitën e tij. Rama dhe kjo qeveri duhet të largohen sa më parë. Ata kontrollojnë sot të gjitha pushtetet, kanë nënshtruar drejtësinë në një degë të PS, në një drejtori të saj.

Asnjë shqiptar nuk pret më që e drejta e tij të sanksionohet. Do i duhen 10-15 vite për t’u gjykuar. duhet të paguaj qimet e kokës ryshfet për të afruar vendimin dhe më pas fiton ai që paguan më shumë. Kurrë ndonjëherë, përveç diktaturës hoxhiste, drejtësia nuk ka qenë në një kontroll të tillë"-tha Berisha.