AKTUALITET, 28 Shkurt 2023, 16:20

Zgjedhja e kryetarit të ri/ Artan Fuga “përplaset” me Akademinë e Shkencave: Po përdoret gjuhë linçuese kundër meje, kjo vetëm sa ma rrit më shumë vendosmërinë për të kandiduar

Zgjedhja e kryetarit të ri/ Artan Fuga “përplaset” me

Akademiku Artan Fuga, është “përplasur” gjatë ditës së sotme në distancë me Akademinë e Shkencave.

Përmes një reagimi në faqen e saj në Facebook, Akademia e Shkencave i quan të pabaza deklaratat e Fugës se një grup deputetësh po përpiqen të ndërhyjnë për të ndryshuar ligjin në mënyrë që kryetari në detyrë të mund të rizgjidhet për një mandate të dytë.

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Fuga me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku thotë se nesër do të paraqesë dokumenta që vërtetojnë deklaratat që ai thotë.

Ai shton se kundër tij po përdoret një gjuhë linçuese, që sipas tij, vetëm sa ia rrit më shumë vendosmërinë për të kandiduar për kryetar të Akademisë së Shkencave.

Reagimi i Akademisë së Shkencave:

Kryesia e Akademisë së Shkencave përgënjeshtron pohimet e pavërteta të z. Artan Fuga, anëtar i Asamblesë së saj

Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj e veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.

Ligji i ri është produkt i vetë Asamblesë së Akademisë së Shkencave (vetëm me një votë kundër), i hartuar nëpërmjet një procesi publik mbi njëvjeçar, në bashkëpunim me institucione prestigjioze si ALLEA (All European Academies) e Akademia “Leopoldina” e Gjermanisë dhe e miratuar nga Kuvendi në sajë të kontributit të deputetëve, shumicës së tyre, të cilët e votuan me bindjen e plotë se ky ligj do të ishte baza e ndryshimit të shumëpritur, dhe arritjet e gjithanshme, në këto 3 vjet, të vlerësuara nga tërë institucionet bashkëpunuese me Akademinë e Shkencave, e dëshmojnë këtë pritshmëri.

Me këtë qëndrim Kuvendi ndali platformën e propozuar në rrugë private, nëpërmjet lobimeve jashtë-institucionale nga anëtari në fjalë, e cila, të vetmen “risi” kishte privimin nga e drejta e votës e akademikëve mbi 68 vjeç. Gjithkush e kupton se një propozim i tillë është dhunë e vërtetë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH. Efektet e një mase të tillë për interesa të qarta politike u provuan më 2007, e këtë model të z. Fuga Perëndimi e ka dënuar si të paprecedent, me akte të veçanta të ALLEA-s, dhe Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues.

Në rast se deputetët do t’i bindeshin lobimit për platformën, sot z. Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç), të vënë nga ai për të tjerët 4 vjet më parë.

Ligji i ri e Statuti i dalë në zbatim të tij garanton kandidimin e lirë të çdo anëtari të Asamblesë dhe  zgjedhjen e akademikëve të rinj e të organeve drejtuese prej vetë Asamblesë e jo prej komisioneve qeveritare, siç do të impononte “modeli” i platformës. Për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave nuk ka pasur në asnjë rast ankesë për shkelje procedure, deformim vote a moslejim kandidimi, përveç virtualisht nga anëtari i vetëm që s’merr pjesë në votim.

Sa u përket mandateve të anëtarëve të Kryesisë, si ligji i ri, dhe ai i mëparshëm e amendamentet që po shqyrtohen, kanë pasur e kanë të drejtën dhe kufizimin për dy mandate e jo më shumë për të njëjtin funksion.

Kryesia e Akademisë së Shkencave

Kryesia e Akademisë të Shkencave paska reaguar sot me një deklaratë publike shumë konfuze për një tekst akademikësh ku pak a shumë shprehet se unë, pra Artan Fuga paskam thënë të pavërteta kur jam shprehur se ka përpjekje deputetësh, dy më saktë, që po iniciojnë një ndryshim ligjor që krijojnë kushte që kryetari etj. të rizgjidhen përsëri në vijimësi për një mandat të dytë duke ndryshuar ligjin në fuqi.

Unë do të botoj deklarata publike të deputetit që ka qenë i angazhuar në këtë pikë. Pa merak.

Nesër do të keni edhe shkresat zyrtare që më vërtetojnë mua matematikisht, pra si një edhe një një që bëjnë dy, jo tre!

Nëse faktet Kryesia e Akademisë të Shkencave i quan të dhëna të rreme, fyerje, etj., unë nuk di si mund të shërbej për ta korrektuar këtë epistemologji.

Me vjen keq që Kryesia e Akademisë humbet kohën kot sepse asnjë ofendim nuk kam bërë për asnjë deputet në deklaratën publike që shpreh projektin tim të mundësisë për të kandiduar.

Dhe sa më shumë nga të tilla reagime lincuese, me të cilat jam mësuar, aq më shumë rritet vendosmëria për të kandiduar! I falenderoj që nuk ma heqin këtë të drejtë.

Pse shqetësohen? Sigurisht që kundërshtimi im si qytetar dhe akademik kundër këtij ndryshimi ligjor është e drejta ime që nuk e heq dot as Zoti, jo më kryesia e Akademisë së Shkencave, megjithë konsideratat e mia të larta për të!

Por si fillim pyes: a gënjen Artan Fuga apo media dhe shkresat për faktin e relatuar?

Publiku mund ta shohë! Lutem të ruhet edukata dhe etika e ligjërimit!

Dokumenti/ Ndryshon ligji i Akademisë së Shkencave, Gjinushi drejt mandatit të dytë. Si ndryshoi qëndrimi i Ramës

Fatmira Nikolli  |   18 Janar, 2023

Skënder Gjinushit i hapet udhë për t’u rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat të dytë, menjëherë pas përfundimit të mandatit të tanishëm. Një grup deputetësh kanë propozuar ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”. Me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”, ku siç shihet është hequr togfjalëshi, por jo radhazi”.

Ligji i miratuar vetëm 4 vite më parë ndryshon tepër shpejt, ndonëse i parapriu gjithë zhurmës mbi nevojën për një reformë, dhe kritikave të shumta, për kryetarë e zgjedhje farsë çka çoi drejt penalizimit deri edhe në buxhetet shtetërore në institucionin. E megjithatë, vetëm 4 vite më pas, kthehemi të besojmë se kryetari duhet të ketë dy mandate radhazi.

Kur Skënder Gjinushi u zgjodh për të drejtuar Akademinë e Shkencave në vitin 2019, ardhja e tij në krye të institucionit më të rëndësishëm të shkencës, pasoi një kohë të gjatë debati e akuzash nga ana e kryeministrit të vendit Edi Rama, që e cilësonte akademinë, një godinë vakish, që hapej vetëm për ceremoni mortore çka e bënte sipas tij, Çabejn të rrotullohej në varr. Përplasja e qeverisë me institucionin shkencor, qe nxitur nga rrokada mes Muzafer Korkutit dhe Gudar Beqirajt në pozicione drejtuese. Me marrjen e Akademisë nga Gjinushi, ish ministër nën Ramiz Alinë, ish aleati i Ramës që la partinë për akademinë, Kryeministri i vendit, hapi thesin e fondeve dhe u rikthye të besojë se nën lidershipin e Gjinushit, “dikush i asaj kohe akademike mund të garantojë këtë kohë”.

Ndryshimet ligjore që u bënë pikërisht për të shmangur rrokadën duket po zhbëhen për të sjellë jetëgjatësinë e një drejtuesi në një post.