AKTUALITET, 7 Nëntor 2022, 08:51

Arjan Hoxha do të prezantojë sot kandidaturën për primaret në Kamzë! Ndërsa në Tropojë Mimoza Hajdarmataj dhe ish-kryebashkiaku Dushaj

Arjan Hoxha do të prezantojë sot kandidaturën për primaret

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Degën Kamzë, Arjan Hoxha, pritet që të prezantojë sot në selinë e PD kandidaturën e tij në primare, pasi aspiron që të garojë për Bashkinë Kamzë.

Ish-drejtuesi i lartë në Policinë e Shtetit që prej disa muajsh drejton degën e PD në Kamzë do të jetë përballë në primare me ish-kreun e Emergjencave Civile dhe së fundmi me ish-këshilltarin e Presidentit Meta, Shemsi Premçi.

Ndërkohë, primaret për Bashkinë e Tropojës pritet të jenë të forta. Demokratëve do t’i drejtohen për të marrë besimin tyre që të dalin në zgjedhje për bashkinë një ish-deputete dhe një ish-kryebashkiak. Në garë do të jetë ish-deputetja Mimoza Hajdarmataj dhe ish-kryebashkiaku Dushaj.

Ish-deputetja demokrate Mimoza Hajdarmataj në një deklaratë nga selia blu, Hajdarmataj u shpreh se e shpalli kandidaturën duke besuar në mbështetjen e patriotëve të saj.

Hajdarmataj u zotua që të angazhohet për një proces të rregullt, të ndershëm dhe korrekt ndërsa bëri të ditur se nuk do të pajtohet me asnjë votë të deformuar, e aq më pak të diktuar nga faktorë e aktorë që duan ta minojnë këtë proces.

“Si grua, bashkëshorte e nënë, gjykoj se ky është një moment vendimesh, për të marrë përsipër përgjegjësi. Gjykoj që nisur nga vetja fillon ndryshimi, gardhi i shtëpisë, lagja ku je rritur, shkolla e parë ku je edukuar. Të gjitha këto më çojnë mua në Tropojë/ ose Malësi të Gjakovës, siç na e ka ne ënda t’i thërrasim.

Sot, shpall kandidaturën për primaret e Partisë Demokratike në Tropojë, duke besuar se me mbështetjen e patriotëve të mi, pas këtij procesi demokratik, do jem pikërisht unë që, nëpërmjet një fushate-model do të rikthej Bashkinë në krye të punëve, halleve e derteve për çdo tropojane e tropojan”, tha Hajdarmataj. Ndërsa Dushaj foli me vetëbesim për fitore të sigurt dhe se do t’u kthejë bashkinë qytetarëve.

“Fitoren e padiskutueshme, duke fituar jo vetëm në çdo Njësi Administrative siç bëmë së bashku në zgjedhjet e vitit 2015, por fitoren e Partisë Demokratike në të 40 qendrat e votimit që mbulojnë të gjithë Tropojën, siç dhe ndodhi në zgjedhjet e para një viti.

Ne kemi dhënë provat si fitimtarë dhe ju siguroj që do t’ia dalim përsëri edhe më bindshëm. Rikthimin e institucionit të Bashkisë në shërbim të qytetarëve të ndershëm të Tropojës dhe vazhdimin e punëve madhështore që realizuam së bashku në periudhën 2015-2019″, tha Dushaj.