AKTUALITET, 7 Nëntor 2022, 08:03

Ambasadorja e SHBA-së në OKB takon sot Ramën dhe Begajn: Shqipëria, një partner kritik në OKB

Ambasadorja e SHBA-së në OKB takon sot Ramën dhe Begajn:
Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield dhe Yuri Kim

Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuesja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, mbërriti dje në Shqipëri ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare. Ajo do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Bajram Begaj.

“Sapo zbriti në Shqipëri për dy ditë takime me drejtues të shoqërisë civile dhe qeverisë. Shqipëria është një aleat i palëkundur dhe një partner kritik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, veçanërisht përballë luftës brutale të Rusisë në Ukrainë”, theksoi ditën e djeshme ambasadorja në një postim në Twitter.

Linda Thomas-Greenfield, u prit nga ambasadorja Yuri Kim  e cila e shoqëroi atë në kryeqytet, duke i prezantuar Tiranën.

“Kënaqësi të bëja një tur të sheshit ‘Skënderbej’, i cili mban emrin e Heroit Kombëtar të Shqipërisë. Faleminderit për shoqërimin dhe mikpritjen e ngrohtë në Tiranë, ambasadore Yuri Kim”, theksoi Thomas-Greenfield.

Ndërsa në një postim të ambasadës amerikane theksohet se “në takimet me udhëheqësit shqiptarë, ambasadorja Thomas-Greenfield do të përcjellë mirënjohjen e saj për lidershipin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka treguar si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi një gamë të gjerë çështjesh në mbarë botën.”

Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të vizitojë Shqipërinë dhe Poloninë nga 6 deri më 9 nëntor për të ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për këto dy aleate të vendosura që po punojnë me ne për t’ju përgjigjur krizës së shkaktuar nga lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës.