TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kërkesa e vazhdueshme e komunitetit LGBT, për njohjen e martesave mes personave të së njëjtës gjini, është një çështje që ka shkaktuar debate të shumta në Shqipëri, veçanërisht e nxitur nga deklarata publike agresive dhe një axhendë kundër, e disa përfaqësuesve të fesë.
Së fundmi, një pastor ka krijuar edhe një koalicion me emrin "Koalicioni Shqiptar Për Mbrojtjen e Familjes", ku një prej zotimeve të këtij grupimi, është mbrojtja e familjes tradicionale, që sipas pastorit nënkupton familjen mes një burri dhe gruaje. Për këtë pastori Akil Pano, u dekorua edhe nga Presidenti i Republikës.
Duket se presioni publik, ka ndryshuar edhe kursin, apo strategjinë e një prej organizatave kryesore që lobon për të drejtat e komunitetit LGBT.
Së fundmi, përfaqësuesja e "Aleanca LGBT", Xheni Karaj, ka deklaruar se kjo organizatë, kërkon mundësimin e bashkëjetesave civile në Shqipëri, në vend të martesave mes personave të së njëjtës gjini, pasi për këto të fundit ka "shumë rezistencë".
"Një sfidë tjetër për të cilën ne kemi folur dhe krijon debat, është njohja e çifteve, njohja ligjore e cifteve LGBT. Nuk po kërkojmë martesën sepse e dimë që aty ka shumë debat dhe ka shumë rezistencë. Ajo çfarë kërkojmë është njohja ligjore e bashkëjetesës, që për momentin edhe ajo është e pamundur për çiftet LGBT, që të na japë mundësi që kur bëhemi me fëmijë ne të kemi mundësi ti regjistrojmë", deklaroi Xheni Karaj në TV Klan.
Bashkëjetesat civile, për pjesëtarë të komunitetit LGBT kanë qenë të aplikuara në disa vende perëndimore, përpara sigurimit të së drejtës për martesë, si një kategori e shpikur kryesisht për t'ju mohuar personave LGBT aksesin në martesë, duke mbartur kështu elemente diskriminuese. Ato janë kritikuar shpesh, si një mekanizëm që e trajton komunitetin LGBT si një kategori inferiore në raport me të drejtat themelore të njeriut, veçanërisht e drejta për jetë familjare.
Shqipëria ka adoptuar legjislacion që garanton dhe mbron komunitetin LGBT+ nga diskriminimi, por nuk mundëson njohjen ligjore të marrëdhënieve mes personave të së njëjtës gjini, regjistrimin e fëmijëve të këtyre personave apo adoptimin e fëmijëve.