AKTUALITET, 17 Shkurt 2026, 12:22

Akuzohet se i bëri presion mbështetësit të opozitës në zgjedhjet e 2023, SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për kryebashkiaken e PS

Akuzohet se i bëri presion mbështetësit të opozitës

Prokuroria e Posaçme kërkon 1 vit e gjysmë burg për Majlinda Bufin, kryetaren e Bashkisë Roskovec për përdorim të funksionit për veprimtari politike ose zgjedhore.

SPAK ka kërkuar 2 vite shërbim prove, bazuar te akuza e mësipërme. Sipas SPAK, Bufi ushtroi presion ndaj një qytetari, i cili mbështeste opozitën, për të mos votuar në zgjedhjet e majit 2023.

Prokurorja Dorina Bejko kërkoi edhe 5 vite mosushtrim të funksioneve publike.

Në hetimet e SPAK, rezultoi se Bufi ka përdorur situatën e qytetarit për t’i bërë presion, pasi ky i fundit kishte përfituar nga programi social i bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, por nga ana tjetër nuk kishte as dokumente pronësie.

Hetimet e SPAK zbuluan se banesa për të cilën qytetari në fjalë kishte kërkuar ndihmë nga bashkia nuk ishte një shtëpi ekzistuese, por ai sapo i kishte nisur punimet dhe nuk kishte as dokumentacion të plotë pronësie. Pavarësisht kësaj, ai ishte përfshirë në programin e mbështetjes sociale, dhe Bufi ishte në dijeni të situatës.

Majlinda Bufi akuzohet se, në cilësinë e kryetares së bashkisë, i ka kërkuar një personi të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtari politike të forcave të tjera, duke e kërcënuar.