AKTUALITET, 28 Tetor 2024, 10:42

Akuzohet se abuzoi me tenderat 210 mln lekë, SPAK kërkon dënimin me burg të ish nënkryetarit të Bashkisë Kukës

Akuzohet se abuzoi me tenderat 210 mln lekë, SPAK kërkon dënimin

SPAK ka kërkuar dënimin me 1.6 vite burg të Granit Gjanës, ish-prefekti i Kukësit, i cili akuzohet për abuzim me tendera.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton ulje me 1/3 nëse dënohet, ndërsa SPAK ka kërkuar konvertimin në 2 vite shërbim prove.

Granit Gjana është vendosur nën hetim për shkelje të barazisë për dy tendera me vlerë 210 mln lekë të vjetra për naftën.

Ish-zyrtari dyshohet se nuk ka pasijur në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse një subjekt privat, i cili kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit.

Ai e ka penguar subjektin të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.000 lekëve, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023.

Për pasojë Granit Gjana akuzohet se ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.


Granit Gjana dhe SPAK kishin arritur një marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë për 2 procedura tenderimi për blerje karburanti, por u refuzua nga GJKKO.

Marrëveshja mes SPAK dhe Granit Gjanës parashikonte dënimin e këtij të fundit me 1.6 vite burg të konvertuar në 3 vite shërbim prove, dhe si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 5 vjeçar.

Lidhur me procedurat për të cilat akuzohet ish zyrtari, ka dhënë deklarime edhe ish kryebashkiaku Safet Gjici.

Nga qelia e burgut ku shlyen dënimin dënimin për shpërdorim detyre pas videoskandalit seksual me Alma Kaçin në zyrën e tij, Safet Gjici ka deklaruar se nuk i kujtohen detaje.

“Më date 25 Janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë aë kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë. Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, thuhet në dosjen e SPAK.

REFUZIMI I PAKTIT

Gjykata e Posaçme refuzoi marrëveshjen mes Prokurorisë së Posaçme dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit, Granit Gjana për pranimin e fajësisë.

GJKKO njofton se nuk është miratuar pakti për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit arritur mes SPAK e Granit Gjanës, i cili akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.

“Refuzimin e miratimit të “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, në praninë e mbrojtësit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste”, thuhet në vendim.

Gjithashtu GJKKO ka kthyer sërish çështjen për rihetim në Prokurorinë e Posaçme.

“Kthimin e akteve Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që i përkasin procedimit penal Nr. 115, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana”, informon Gjykata e Posaçme.

Njoftimi i GJKKO-së

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 05.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Miratimin e “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.

2. Në seancën e datës 30.04.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 63 Regjistri Themeltar, datë 30.04.2024 vendosi:

1. Refuzimin e miratimit të “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, në praninë e mbrojtësit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.

2. Kthimin e akteve Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që i përkasin procedimit penal Nr. 115, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana.

3. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 30.04.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar