TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Katër persona ranë në prangat e policisë së Shkodrës në kontrollet blic që janë bërë në orët e fundit në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që shpërndajnë lëndë narkotike.
Blutë e Shkodrës bënë me dije se është arrestuar në flagrancë një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet.
I prangosuri është shtetasi me inicialet A. Gj., 24 vjeç, banues në fshatin Prekal, Shkodër.
“Shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndaluar në fshatin Golem, Shkodër, mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. Gj. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet është gjetur e fshehur një armë zjarri automatike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara në qytetin e Shkodrës, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
M. C., 19 vjeç, banues në fshatin Grudë, Malësi e Madhe; M. L., 22 vjeç dhe A. G., 17 vjeç, të dy banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Skënderbeg”, duke bërë lëvizje të dyshimta me mjetin “Volkswagen”. Pas ndalimit, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit të automjetit u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda narkotike, mjeti tip “Volkswagen” dhe 3 aparate celulare.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.