TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shtatë persona mbetën të plagosur mbrëmjen e kësaj të shtune në Durrës, pasi u përfshinë në një aksident masiv. Ngjarja ndodhi pranë mbikalimit të Plepave, aty ku katër makina u përplasën më njëra-tjetrën.
Mes të lënduarve, tre janë fëmijë. Në një njoftim për mediat, vetë policia tha se gjashtë prej të plagosurve morën ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Ndërsa një grua 61-vjeçare u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Fatmirësisht, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 20:10, në lagjen nr. 13 Durrës, në aksin rrugor Plepa-Kavajë, janë përplasur 4 automjete me drejtues shtetasit A. D., G. L., E. M., dhe E. H. Si pasojë e përplasjes kanë shkuar për kontroll mjekësor në spitalin rajonal në Durrës, 6 shtetas pa probleme për jetën, ndërsa shtetasja Xh. H., 61 vjeçe është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën”, tha policia e Durrësit në një njoftim.
Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e ambulancës dhe policisë. Kjo e fundit, përveç hetimeve për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti të shumëfishtë, ndërhyri edhe për të normalizuar qarkullimin e automjeteve.