AKTUALITET, 19 Maj 2025, 21:47

Agron Shehaj: Rrotacioni politik është bërë shumë i vështirë, prandaj opozita duhet të jetë perfekte!

Agron Shehaj: Rrotacioni politik është bërë shumë i

Agron Shehaj, ishte i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ndër të tjera foli për standardin e zgjedhjeve. 

I pyetur nga analisti Enton Abilekaj lidhur me raportin paraprak të OSBE/ODHIR dhe problematikat në zgjedhje, Shehaj tha se rrotacioni politik në vendin tonë është bërë shumë i vështirë dhe për këtë arsye opozita duhet të jetë perfekte. 

Pjesë nga biseda: 

Enton Abilekaj: Njerëzit që ju takonin, a ndiheshin të shantazhuar? 

Agron Shehaj: Kam patur kandidatë për deputetë në parti, që kishin presion, që u punonin prindërit në shtet dhe u bënim presion. Unë kam qenë transparent me financimet, kam vënë kryesisht paratë e mia dhe më akuzojnë. PS harxhon dhjetëra apo qindra milionë euro… Si mund të jenë këto të barabarta dhe të pranueshme? Por ne pame që erdhën një javë pas zgjedhjeve, njerëz që nuk do të pranonin këto zgjedhje për vendet e tyre por thanë ok për Shqipërinë. Kush do të pranonte mbylljen e rrjetetit më të madh social një muaj para zgjedhjeve? Cili vend demokratik do të pranonete që lista e PS të kishte njerëz të hetuar nga SPAK? Në cilin vend do të ishte gjë normale kjo? Për të mos folur për Elbasani, Durrësin dhe vende të tjera. Por ky është realiteti ku jemi. Vijnë ndërkombëtarët dhe thonë për Shqipërinë mirë është. Unë mund të mos pranoj zgjedhjet, por a i pranon shoqëria? Duhet të jemi të vetëdijshëm.

Enton Abilekaj: Ju thatë rrotacini është i vështirë. Atëherë çfarë të ardhme ka?

Agron Shehaj: Ne duhet të diskutojmë për zgjidhjen. Cila është zgjidhja? Ç’mund të bëjmë ne? Prandaj kam kërkuar, që në kushte të tilla, kur hapësirat për rrotacion janë jashtëzakonisht të vogla, opozita duhet të jetë perfekt dhe e besueshme. Opozita nuk duhet të gabojë asgjë. Flas për veten time, të shohim nga vetja. Opozita ka të drejtën e saj dhe evidenca dhe fakte sa të duash, për të patur alibinë e humbjes së zgjedhjeve. Por çfarë zgjidhje do të japim? Me luftë, të kapim armët?