AKTUALITET, 24 Shtator 2025, 21:56

A do ta bojkotojë opozita Kuvendin? Noka: Ta harrojë kush se kemi për t’i lënë hapësirat bosh

A do ta bojkotojë opozita Kuvendin? Noka: Ta harrojë kush se kemi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha në emisionin “Log.” në News 24 se opozita nuk do të ekzekutojë skenarin e bojkotit, siç ka bërë vite më parë.

Sipas Nokës, Edi Rama e urren Parlamentin dhe po bën gjithçka që ta rrënojë dhe ta shkatërrojë atë parlament dhe parlamentarizmin në Shqipëri.

"Ne kemi vendosur që të shfrytëzojmë çdo vend ku mund të bëjmë opozitarizëm dhe vendi kryesor i opozitës është parlamenti. Atje ne përçojmë vullnetin dhe zërin e qytetarëve. Ta harrojë kush se ne kemi për t’i lënë hapësirat bosh, e provuam një herë, na u kthye boomerang dhe kemi 7, 8 vjet që nuk po e marrim akoma veten nga ajo dhe nuk ndodh më.

Ka dy kuvende kombëtare të PD-së që është i 11 dhjetorit 2021 dhe 30 prillit 2022 që ka miratuar dy rezoluta që ndalojnë bojkotin e forcës tonë politike. Ne do jemi aty dhe do përballemi aty dhe kudo për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe kushtetutën e këtij vendi.

Edi Rama e urren Parlamentin, po bën gjithçka që ta rrënojë dhe ta shkatërrojë atë parlament dhe parlamentarizmin në Shqipëri. Ai ka një kompleks të madh, kompleksin e unit. Gjithë bota për atë duhet të rrotullohet rreth atij. Të gjithë kabinetin e konsideron si avatar, të gjithë shtetin e konsideron si tufë", deklaroi Noka.