AKTUALITET, 28 Maj 2025, 19:50

BERZH, ndihmë Shqipërisë për politikat industriale, inovacionin dhe teknologjinë

BERZH, ndihmë Shqipërisë për politikat industriale,

Për zhvillimin e industrisë tradicionale në orientimin drejt teknologjisë dhe inovacionit, Shqipëria do të fokusohet në riformulimin e politikave për këtë sektorë.

Banka e Shqipërisë në konferencën e përbashkët me BERZH dha disa sugjerime për qeverinë ndërsa cilësoi si të rëndësishme kualifikimin e fuqisë punëtore.

“Këto “shërbime të inovacionit global” si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale”-u shpreh Sejko.

“Strategjia gjithashtu synon të ndihmojë sektorin privat shqiptar që të përgatitet për akses në tregun e përbashkët evropian. Kjo do të arrihet përmes rritjes së financimit direkt dhe indirekt, përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe integrimit të bizneseve shqiptare në zinxhirët globalë të vlerës. Financimi do të shoqërohet me asistencë teknike të shënjestruar për rritjen e produktivitetit dhe nxitjen e inovacionit”-u shpreh Ekaterina Solovova, drejtuese e zyrës së BERZH në Shqipëri.

Në konferencë u prezantua edhe raporti i tranzicionit i BERZH për vitet 2024-2025, ku fokusi kryesor do të jenë investimet në energji të gjelbër por dhe fuqia punëtore.

Shënim: Versioni i mëparshëm i këtij shkrimi citonte në mënyrë të gabuar se ndihma e BERZH për Shqipërinë deri në vitin 2029 do të jetë në vlerën 900 mln euro, por kjo shifër është e pasaktë dhe i referohet shumës së shpenzuar gjatë pesë vjeçarit të shkuar.