AKTUALITET, 28 Maj 2025, 17:27

Nesër rikthehet Parlamenti/ 11 Maji, pritet të jetë fokusi i debatit mes deputetëve

Nesër rikthehet Parlamenti/ 11 Maji, pritet të jetë fokusi i

Pas afro dy muajsh në terren për të kërkuar vota për veten dhe partitë e tyre, deputetët i rikthehen jetës parlamentare të enjten e 29 Majit. Konferenca e Kryetarëve që mblidhet në orën 10:00 do të miratojë kalendarin 3-javor të punimeve të Parlamentit, që seancën e fundit të kësaj legjislature do ta ketë në datën 8 Korrik.

Seanca e nesërme do të jetë përballja e parë sy më sy e fituesve të zgjedhjeve të 11 Majit me opozitën që do të mbetet e tillë dhe për 4 vitet e ardhshme.

Demokratët kanë premtuar që do të bëjnë betejë brenda institucioneve për të çmontuar, siç thotë, farsën elektorale. Dhe me shumë gjasë, seanca e nesërme do të shërbejë për nxehmje për aksionin e tyre, edhe pse është një seancë formale ku do të miratohet vetëm kalendari i punimeve. Lideri demokrat Sali Berisha ka premtuar se beteja e tyre jo vetëm nuk do të ndalet, përkundrazi do të radikalizohet në Shtator kur nuk e mohon si opsion grevën e urisë.

Në legjislaturën e re, socialistët do të kenë 83 kartona për të mbështetur çdo nismë të tyre, kartona që mund t’i përdorin dhe për të bllokuar projektligje a amendime të Partisë Demokratike që do të ketë vetëm 50 karrige në Parlament për 4 vitet e ardhshme. Per qasjen e forcave te tjera, që së bashku bëjnë 7 mandate, duhet të presim Vjeshtën për ta zbuluar. Në këto 5 javë, Parlamenti duhet të votojë për afro 25 projektligje si dhe duhet të dëgjojë raportet e 2024 për punën e çdo institucioni të pavarur, përfshirë KQZ dhe organet e drejtësisë.