TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas tre muajsh qëndrimi në Shqipëri brenda anijes me të cilën lundruan nga Kolumbia në Shqipëri ku u gjet 59 kilogramë kokainë, SPAK iu kthen pasaportat 11 pjesëtarëve të ekuipazhit, ndërsa hoqi sekuestron mbi mjetin lundrues. Ndërsa, në pranga përfundoi pjesëtari i 12 i ekuipazhit të anijes, shtetasi rus Grigory Gorbunov, inxhinier i dytë në anije, pasi në celularin e tij gjatë këqyrjes nga SPAK u zbuluan materiale pornografike me të mitur.
Për faktin se SPAK nuk ka kompetencë për të hetuar këtë vepër penale, dosja për 42-vjecarin iu dërgua prokurorisë së Durrësit, ndërsa për arrestimin e tij u njoftua ambasada ruse në Tiranë. Ekuipazhi i anijes nuk u lejua të dilte nga mjeti lundrues, pasi SPAK iu bllokoi atyre pasaportat, nën dyshimet se mund të ishin të përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa mjeti lundrues u sekuestrua.
Vendimi për t’u kthyer pasaportat 11 shtetasve rus, ukrainas dhe Filipinas, erdhi pasi SPAK përfundoi këqyrjen e telefonave celular të tyre ku nuk gjeti kontakte të tjerë apo të dhëna që i implikonin në trafikun ndërkombëtar të drogës. Pak ditë më parë, i gjithë ekuipazhi dhe përfaqësuesit e shoqërisë që ka në pronësi anijen Unistream, mbërritën në Gjykatën e Posaçme, pasi kërkonin kthimin e pasaportave dhe lirimin e mjetit.
Anija e mallrave 132 metra e gjatë ishte nisur nga Barranquilla, një port në Kolumbi dhe mbërriti në Durrës pas lundrimit gati 20 ditor.
Ajo u vendos në Terminalin Lindor që shërben për ngarkim-shkarkimin e mineraleve dhe pas ndërhyrjes së policisë në dy çanta të vendosura brenda qymyrit u sekuestruar një sasi prej 59 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Prokuroria po vijon hetimet për rastin dhe do ti drejtohet më letërporosi autoriteteve të Kolumbisë.