LIFESTYLE, 5 Maj 2018, 12:13

Aktori i “Portokalli”-së tregon historinë e mbijetesës: Si hoqa dorë nga mendimi për të vrarë veten

Aktori i “Portokalli”-së tregon historinë e

Alex Seitaj dhe Ilia Kaçi janë dueti i të rinjve të spektaklit të humorit “Portokalli”, që me numrat e tyre u japin muzikalitet problemeve dhe fenomeneve shqiptare që sjellin të diel pas të diele në ekran. Alex, një personazh atipik 1.93 m i gjatë, i cili lundron në ujërat e artit shqiptar mes muzikës dhe aktrimit, rrëfen më shumë nga jeta e tij.

Si një djalë me botë të veçantë shpirtërore që analizon dhe filozofon gjithçka, ai ka vuajtur pasojat e depresionit, që tashmë e kujton thjesht si e shkuara e errët e jetës së tij. Se si arriti të superonte problemet dhe të largonte mendimin për të vrarë veten, artisti i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Të shohim në spektaklin e humorit “Portokalli”. Luan veten apo alteregon tënde?

Do të thosha as njërën dhe as tjetrën. Zakonisht, më pëlqen të luaj personazhe që janë shumë të ndryshëm nga unë. Për këtë arsye e dua profesionin tim, ndërkohë që në jetë praktikisht “luaj” vetveten, në skenë të jepet mundësia të shkëputesh totalisht nga ky realitet dhe të luash dikë, që nuk ka lidhje fare me ty. Publiku shpeshherë mendon që dhe në jetën e përditshme aktori do të jetë si në televizion, por në rastin tim nuk kam lidhje fare me personazhet që luaj.

Çdo javë vjen për një ndodhi ndryshe bashkë me shokun apo kushëririn në rol. Ku frymëzohesh për sekuencat që sjell të dielave?

Është një proces disi i gjatë, por i bukur. Unë, aktori tjetër Ilia Kaci dhe Nada Mulla (tekstshkruesja) bashkëpunojmë për të gjetur temat. Aty më pas nis shkrimi i tekstit, duke i vënë personazhet tanë në rrethana të njohura të jetës së përditshme dhe duke treguar mënyrën se si ata reagojnë ndaj këtyre rrethanave. Ka kaq shumë tema që ndodhin në jetën e shqiptarëve. Ajo që bëjmë ne, është pikërisht “muzikalizimi” i këtyre temave, për t’i sjellë në skenën e “Portokalli”-së.

Nuk mungojnë as personazhet femërore. Si ndihesh nën lëkurën e një femre dhe në ç’aspekt të të menduarit apo të jetuarit, femra dhe mashkulli janë uniseks?

Nuk mendoj që jam në gjendje për ta përcaktuar këtë gjë. Një femër nuk është thjesht këpucë me taka, flokë të gjatë, fustan dhe make up. Këtë mund ta shpjegojë më mirë një aktore femër. Personazhet femra që unë luaj, janë të gjitha groteske dhe të ekzagjeruara, për arsye humori, sigurisht. Personazhi i Vezires, që unë kam sjellë në skenë është praktikisht një matriarke, një femër gjaktare që burrat i sheh si aksesorë për të arritur qëllimin e saj. Dhe për këtë, është shumë komike që kjo femër të luhet nga një aktor mashkull 1.93 i gjatë.

Intervisten e plotë e lexoni në linkun: http://www.panorama.com.al/panoramaplus/aktori-i-portokalli-se-alex-seitaj-historia-ime-e-mbijeteses-si-hoqa-dore-nga-mendimi-per-te-vrare-veten/