AKTUALITET, 2 Qershor 2019, 19:17

Aksi Milot-Balldren, Rama: Gjithë jetën më kanë akuzuar se vjedh, por...

Aksi Milot-Balldren, Rama: Gjithë jetën më kanë akuzuar se

Nga Lezha, ku po prezantohet kandidati për kryetar të kësaj Bashkie, Pjerin Ndreu, kreu i qeverisë ka folur edhe për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, për të cilët është sulmuar së fundmi dhe akuzuar për vjedhje.

Para mbështetësve të PS, Edi Rama tha se ky është një sulm, si çdo sulm tjetër, që sipas tij i është bërë në çdo punë që ka nisur, prej kohës kur ka qenë ministër Kukture dhe deri sot.

“Do bëjmë aksin Milot-Balldren, ju e njihni si autostrada e vdekjes, ne do ta rindërtojmë totalisht nga e para.

Nuk e di a e keni ndjekur kur më pyesin ca është kjo Milot- Balldren… është pjesë e aksit të korridorit blu, një aks strategjik për zhvillim turistik jo vetëm për Lezhën por gjithë Shqipërinë, dhe këtë segment ne do ta ndërtojmë vetë sepse koha nuk pret, ndërkohë që në projektet e Berlinit është prioritet dhe do të financohen ca pjesë të tjera”, u shpreh Rama.

“Do ta ndërtojmë vetëm, do ta ndërtojmë shpejt, për 30 muaj dhe do ta paguajmë për 13 vjet, me PPP, siç thonë ata vjedhje. Se ku është vjedhja tani, kur një privat do financojë me një kapital të vetin që shteti nuk e ka, dhe pastaj vit pas viti qeveria do ta shlyej, patjetër se nuk bëhet për bamirësi.

Do jetë e para autostradë evropiane e standardit A me të gjitha parametrat, edhe rruga e Kombit vetëm një pjesë e ka standard A.

Do të ketë tre korsi nga njëra anë e tre nga ana tjetër, por edhe korsi emergjence edhe dy rrugë të tjera. Do ketë dy ura, një mbi Mat e një mbi Drin, 6 mbi dhe nënkalime, 2 tunele… ky është projekti.

Sa e thamë që do filloj, na e hodhën në fyt, vjedhje-vjedhje… po si ka mundësi, që të kem bërë një punë të vetme dhe të mos kem dëgjuar këtë fjalë, vjedhje-vjedhje?!

Kurdoherë që flitet për një punë, kudo ku nis një punë, dhe për çdo gjë që lidhet me punën, për ta është vjedhje, dhe ju them se ka vetëm një mundësi… është mallkimi që i lanë këtij vendi me ato rrugë që i filluan dhe i shqepën dhe i lanë rrugëve… për ata të punosh do me thënë të vjedhësh, dhe mesa duket kurrë s’e kanë nisur një punë pa menduar “ca do vjedhim këtu”, se nuk ka mundësi ndryshe.

Janë fiks si shprehja: hajduti bërtet kapni hajdutin”, iu përgjigj kështu Rama sulmeve.