AKTUALITET, 2 Qershor 2019, 19:16

Rama në fushatë elektorale, opozita vijon protestat për rrëzimin e tij


Protestues të shumtë nga e gjithë Shqipëria, janë bashkuar në protestën e opozitën, përballë Kryeministrisë.

Opozita kërkon largimin e Edi Ramës, ndërkohë që ky i fundit, ka nisur fushatën për zgjedhjet e 30 Qershorit, ku Partia Socialiste do të garojë me vetëveten.

Sipas organizatorëve të protestës, rreth 65 mijë qytetarë, kanë ardhur nga rrethet për t'u bashkuar në protestën e opozitës.

“Janë rrugës për në Tiranë rreth 65 mijë qytetarë. Parashikimet për pjesëmarrjen në protestë janë disi më të larta se ajo e 25 Majit, ku llogariteshin rreth 62 mijë protestues nga rrethet, pa llogaritur qytetarët e qarkut të Tiranës, të cilët, sipas strukturave organizative të Partisë Demokratike, janë zemra e protestës”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij u shpreh se shqiptarët u kanë shpallur luftë oligarkëve dhe politikanëve kriminelë dhe se regjimi i Ramës do të rrëzohet njëlloj siç u rrëzua diktatura.

"Ky komb është bashkuar në histori drejt kauzave të mëdha dhe me bashkimin e tij, ka bërë të mundur largimin e të keqes dhe ka hapur rrugën drejt përparimit të tij. Kështu e hodhëm diktaturën, kështu u anëtaërsuam në NATO dhe hoqëm vizat me BE. Kurrë më parë, nuk ka qenë përmbledhur në një grusht banditësh, oligarkësh dhe politikanësh kriminelë me në krye Edi Ramën. Kjo kauzë do të zgjidhet me vlera, me besim, me kurajo, por vetëm pasi të largojmë fajtorin kryesor. Rama ik. Orët e tiranisë po numërohen mbrapsht. Ora e lirisë po afron. Rama ik. Askush nuk e ndal fuqinë e një populli të bashkuar për liri e demokraci”, u shpreh Basha.

Protesta përballë Kryeministrisë ka qenë e qetë, por më pas turma është spostuar drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku ka patur disa incidente. Protestuesit kanë hedhur kapsolla të shumta drejt godinës së Kuvendit. Disa prej tyre kanë pësuar lëndime.

https://www.youtube.com/watch?v=voJEVcJbFlc