TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjashtë vatra zjarri janë evidentuar në pak orë gjatë pasdites së martë në masivin pyjor të fshatit Rrajcë-Skënderbej.
Zjarret janë shfaqur kohë pas kohe në disa zona në largësi 500 m-1000 m larg njëra tjetrës duke krijuar një situatë mjaft problematike në masivet pyjore të fshatit Rrajcë Skënderbej në Njësinë Administrative Rrajcë të Bashkisë Përrenjas në orët e vona të pasdites së martë.
Fillimisht u evidentuan dy vatra zjarri dhe më pas u shfaqën edhe katër të tjera të cilat kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Sipas inxhinierit Fatmir Brazhda, Drejtor i Zonave të Mbrojtura Qarku Elbasan, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej 20 hektarësh pyje i përbërë me dushk dhe ah e cila ndodhet mbi fshatin Rrajcë Skënderbej, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Rrezikohet zona UNESCO-s, ku zjarri ndodhet rreth 1.5 km larg.
Aktualisht rreth 50 punonjës të ADZM Elbasan dhe i gjithë stafi i Bashkisë Përrenjas po punojnë për izolimin e të gjitha vatrave të zjarrit të cilat për shkak të erës janë ende mjaft aktive.
Të gjashtë vatrat e zjarrit sipas Inxhinier Fatmir Brazhda, dyshohet që janë të qëllimshme për shkak se janë vendosur larg njëra-tjetrës dhe të shpërndara në mënyrë të tillë që të përfshijnë një sipërfaqe mjaft të madhe dhe të shkatërrojnë zonën e mbrojtur.
“Jemi përballë një krimi mjedisor të mirëorganizuar,"- deklaroi Brazhda- dhe në kohë rekord shpresojmë që keqbërësit të identifikohen dhe të përballen me ligjin”.