AKTUALITET, 27 Prill 2020, 10:53

A ka vdekur diktatori? Koreja e Jugut zbulon çfarë ka ndodhur me Kim Jong Un


Këshilltari special i sigurimit kombëtar të Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in ka deklaruar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është gjallë dhe shëndoshë e mirë.

Madje ai ka thënë se lideri i Koresë së Veriut ndodhet në zonën e Wonsan që nga 13 Prilli.

“Kim Jong Un është gjallë dhe mirë. Ai ka qëndruar në zonën e Wonsan që nga 13 Prilli. Asnjë lëvizje e dyshimtë nuk është zbuluar deri më tani”, ka thënë ai për CNN.

Ai bëri thirrje për mospërhapje të lajmeve në lidhje me shëndetin e liderit, Kim Jong-un.

Prej ditësh në mediat ndërkombëtare është vënë në pikëpyetje shëndeti i liderit koreano-verior, madje u raportua se ka dyshime që ai mund të ketë vdekur.

Këto dyshime u ngritën, pasi që prej 11 prillit Kim Jong Un nuk është shfaqur në publik. Madje ai mungoi edhe në festimin e ditëlindjes së gjyshit të tij, themeluesit të Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut kontrollon fort çdo informacion që rrethon liderin e saj, i cili trajtohet pothuajse si një hyjni brenda vendit. Mungesat e tij nga media zyrtare shtetërore shpesh ngjallin spekulime dhe zëra për shëndetin e tij.

Vendi nuk ka shtyp të lirë , mirëpo një uebfaqe e specializuar në punët e Koresë së Veriut publikoi imazhe satelitore të Shtunën që studiuesit thanë se një tren “që ndoshta i përket Kim Jong Un” është parkuar në një stacion hekurudhor pranë shtëpisë së pushimit të Jon Un, më 21 prill.