AKTUALITET, 1 Nëntor 2021, 10:30

Ekzekutimi i ish-policit, dalin pamjet nga vendi i ngjarjes në Laç

Pamjet që shihni vijnë nga vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja e Xhelal Reçit, ish-polici që u vra më armë zjarri mëngjesin e sotëm në Laç.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:23, në afërsi të një banke.

Në foton e mësipërme shihet se ka prani të madhe të policisë, por edhe të qytetarëve, të cilët janë terrorizuar nga skena e rëndë.

Viktima u vra pranë biznesit të tij, një dyqan rrobash që kishte në pronësi. Po ashtu ai mësohet se ka dhe një lokal në qytetin e Laçit.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë, ndërkohë që në Milot është gjetur dhe një makinë e djegur, tip Toyota me targa të huaja, e cila mendohet se është e autorëve të krimit.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen në qytetin e Laçit, në Milot, Kurbin është gjetur i djegur një automjet i cili dyshohet se është i autorëve.

Vijon puna intensive për fiksimin e çdo provë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes”, bën me dije policia në një njoftim të dytë për mediat.