Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka njoftuar sot se ka rihapur hetimet duke regjistruar procedim penal ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.
NJOFTIM PËR SHTYP
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu.
Gjykata e Posaçme vendosi që të rihapë çështjen “Gërdeci”, duke nisur rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin në mars të 2008 ku humbën jetën 26 persona. SPAK iu drejtua në muajt e parë të vitit Gjykatës së Lartë me kërkesën për revokimin e vendimit të 2009 që pushoi çështjen ndaj Mediu me arsyetimin se nuk mund të gjykohet pasi ishte me imunitet.