AKTUALITET, 7 Tetor 2021, 11:31

“Jeni mbeturina të Partisë së Punës”, Rama humbet qetësinë në Kuvend pas akuzave për rritjen e energjisë: Nafta është më lirë sot se kur ju latë qeverinë

“Jeni mbeturina të Partisë së Punës”, Rama

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit iu përgjigj akuzave të opozitës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe hidrokarbureve.

Me tone të larta Rama u shpreh se çmimet e mallrave në ekonominë e centralizuar dikur vendoseshin nga shteti, ndërkohë që sot në ekonominë e hapur, çmimet i vendos tregu.

Rama deklaroi se nëse dikush do të dëgjonte retorikën e opozitës në Kuvend dhe mos ti njihte do të mendonte se ishin mbeturina të partisë së Punës dhe jo një parti e djathtë pro tregut të lirë.

Gjithashtu kryeministri theksoi se çimi i naftës dhe benzinës sot është më lirë se në vitin 2013 kur Partia Demokratike u largua nga pushteti.

“Të përsërish të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër është tipar i mendjelehtësisë. U bë 8 vjet që përsëritni të njëjtën gjë dhe merrni të njëjtin rezultat dhe duke përpëritur prap po të njëjtën gjë do të merrni prap të njëjtin rezultat. Aty ju kam gjetur aty do ju lë po vazhdoni të përsërisni të njëjtën gjë dhe ti merrni shqiptarët për budallenj. Faktet janë fakte, ju mund ti thoni shqiptarëve çfarë të doni, por urtësia ka një barometër, ditën e gjykimit. Populli po ju thotë për të pestën herë këta nuk janë më të mirët por ju ta harroni. Dje në samitin e Ballkanit Perëndimor kryefjalën e diskutimit kishin çfarë mund të bëjmë së bashku për të përballuar krizën e energjisë ashtu siç përballuam së bashku krizën e pandemisë.

Ju të dyja palët si pengu si pengmarrësi i thoni shqiptarëve që Shqipëria nuk ka lidhje me tregjet ndërkombëtare, Kur qeverisnit ju dilnit të blinit në tregjet ndërkombëtare? Ju i thoni shqiptarëve që fatura e energjisë është më e larta në rajon, është e pavërtetë. Në sistemin që ne kemi zgjedhur të jetojmë dhe që ju ishit pararoja, kemi nisur të kalojmë nga ekonomia e centralizuar e cila vendoste çmimet në një ekomomi të tregut të lirë. Rritja e çmimit në bursë e çfarëdo lloj malli, nuk pyet se Spanja ka më shumë dhe Shqipëria ka më pak.

Ju partia e qëndrës së djathtë, partia , nëse nuk ju njeh dhe ju shikon të flisni mendon se jeni mbeturina të partisë së punës. Nuk është argument as e shara as e bërtitura nga vendi. Këtu dëgjojmë të shara nga para dhe mbrapa që nga sharjet mbi atë zonën atje. Më thoni me gjithë taksën e karbonit , a është më lirë nafta me ditën që ju latë qeverinë. Në vitin 2013  Diseli 182 lekë benzina 176 lekë. Shkoni merreni tabelën Sa e blenin shqiptarët kur ju ishit në qeveri diselin dhe benzinën” tha Rama.