AKTUALITET, 30 Mars 2018, 19:45

Zyrtare/ Rusia dëbon dy diplomatë shqiptarë, ja çfarë ndodhi në takimin e Moskës

Zyrtare/ Rusia dëbon dy diplomatë shqiptarë, ja çfarë

Pas dëbimit të dy diplomatëve shqiptarë nga Ministria e Jashtme ruse, si përgjigje që Rusia po u jep të gjithë vendeve të cilët mbështetën Britaninë e Madhe pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Përmes një deklarate thuhet se ky vendim nuk ishte surprizë, pas vendimit të marrë nga pala shqiptare pak ditë më parë për dy diplomatët rusë, ndërsa shtohet se kanalet diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Jashtme:

Me datë 30 mars 2018, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Gjatë takimit, Ambasadorit i’u komunikua shpallja “non – grata” e dy diplomatëve shqiptarë të akredituar në Federatën Ruse.

Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne. Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët Rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë.

Ministria e Jashtme ruse thërret ambasadorin shqiptar. Sa diplomatë do të dëbojë Moska?

Rreth katër ditë më parë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati i komunikoi ambasadorit të Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, dëbimin e dy diplomatëve, Vladislav Filipov, atasheh ushatarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka thirrur në zyrë ambasadorin e Shqipërisë në Rusi Arben Gazioni për t’i komunikuar dëbimin e dy diplomatëve shqiptarë atje.

Dëbimi i dy diplomatëve shqiptarë vjen si përgjigje që Rusia po u jep të gjithë vendeve të cilët mbështetën Britaninë e Madhe pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal.

Shqipëria në sintoni me një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës shpallën të paktë 150 diplomatë “non grata”

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë, ndërsa Gjermania, Franca, Ukraina, Kanadaja dhe vende të tjera europiane kanë dëbuar po ashtu përfaqësuesit e Moskës.

Më herët gjatë së hënës ishte presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, që bëri të ditur se 14 shtete të BE-së kishin vendosur të dëbonin diplomatët rusë, respektivisht si në vijim: Franca (4); Gjermania (4); Polonia (4); Republika Çeke (3); Lituania (3); Danimarka (2); Holanda (2); Italia (2); Estonia (1); Kroacia (1); Finlanda (1); Letonia (1); Rumania (1). Nga jashtë BE-së, Ukraina (13) dhe Kanadaja (4).