AKTUALITET, 30 Mars 2018, 17:15

Pas Kosovës radha e Shqipërisë. Plani i Erdoganit kundër gylenistëve

Deportimi nga Kosova i 5 mësuesve turq të kolegjit Mehmet Akif dhe i një mjeku të akuzuar si agjentë të ofranizatës terrorriste “Feto”, po shkakton një tërmet të vërtetë në Kosovë. Shumë media, politikanë dhe intelektualë vendas po e cilësojnë këtë akt anti ligjor, si një marëveshje okulte mes presidentit vendas dhe homologut të tij Erdogan. Hashim Thaçi është po aq mik sa edhe kryeministri shqiptar Edi Rama me liderin autokrat të Ankarasë. Prandaj frika është se vala e shtrëngimeve që sulltani i ri i Turqisë i bëri Thaçit, mund të transferohet edhe në pjesën tjetër të kombit. Deri më tani Edi Rama është akuzuar jo vetëm se ndryshe nga tradita shumëvjeçare e diplomacisë shqiptare e shpalli Turqinë, sapo erdhi në pushtet si partner strategjik të Shqipërisë, jo vetëm se votoi i ndikuar nga Erdogani, rrezolutën anti Trump për mosnjohjen e Telavivit si kryeqytet i Izraelit, por edhe zvarrisjen e marëveshjes së detit me Greqinë si rrezultat i presionit që vjen nga Ankaraja.

Tani frika është se për të ruajtur miqësinë personale, kryeministri shqiptar mund të shkelë mbi ligjet vendase dhe mbi institucionet arsimore. Në të njëjtën kohë që në Prishtinë u arrestuan në mënyrë banditeske gjashtë “gylenistët”, ambasadori i ri turk Murat Ahmet Yoruk (foto poshtë) dhe një intervistë për “diplomaticus” në Nevs 24 tha shprehimisht: “Nuk do të lejojmë që vëllezërit tanë shqiptarë të kenë nevojë për institucionet arsimore të strukturës tradhtare”. Ai tha se Ankaraja po punon që ti zëvendësojë shkollat e gylenistëve me fondacionin arsimor Maarif që tashmë është shtrirë edhe në Kosovë.

“Natyrisht që një ndër objektivat tonë përparësorë në Shqipëri është që të sjellim në Shqipëri cilësinë arsimore të vendit tonë. Në këtë kuadër kemi filluar veprimet e nevojshme. Urojmë që institucionet e vërteta arsimore turke, pa qëllime fitimi, të jenë pranë popullit mik e vëlla shqiptar” tha Murat Ahmet Yoruk i cili nuk e humbi rastin për t’i sulmuar edhe njëherë gylenistët: “Ju lutem nuk duhet të harroni se FETO, kur e shikon të arsyeshme dhe sipas udhëzimeve që merr, është një organizatë terroriste që mund të krijojë kaos politik në vendin ku ndodhet dhe të shkatërrojë rendin kushtetues. Ne këtë e jetuam më 15 korrik. Më 15 korrik 2016 në Turqi u rrëzuan të gjitha maskat e FETO-s atje ku zhvillonte veprimtari, në arsim, shëndetësi, financë dhe media. Trutë e shpëlarë nga organizata tradhtare dhe e pamëshirshme vetëm brenda një natë masakruan 250 persona. Mijëra shtetas turq u plagosën ose ngelën invalidë.

Prandaj këto grupime pretendojnë se janë shkolla turke dhe që veprojnë nën maskën e arsimit, nuk kanë asnjë lidhje me të qenit turk, me myslimanizmin dhe me ndonjë vlerë tjetër të shenjtë apo morale. Ata nuk mund të përdorin flamurin turk apo simbole të tjera turke as në Shqipëri dhe as në ndonjë vend tjetër ku ndodhen”.

Turqia po e kërkon politikën e saj të asgjëesimit të gylenistëve, të pa miratuar nga asnjëri prej aleatëve perendimorë të Shqipërisë, si rrezultat i peshës së madhe që ajo po zë në Shqipëri pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës.

Lapsi.al