TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një vatër zjarri e aktivizuar mesditën e së dielës në zonën e Lugut të Lakrave, në Njësinë Administrative Qukës, Bashkia Prrenjas, është izoluar pas rreth tetë orësh pune intensive nga shërbimi zjarrfikës. Zjarri u konstatua rreth orës 12:00, në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke përfshirë fillimisht rreth 0.5 hektarë me ah, bar të thatë dhe trungje të thata. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të materialit të thatë, flakët rrezikonin të përhapeshin në një sipërfaqe më të gjerë.
Menjëherë pas konstatimit të vatrës, në terren u angazhuan gjashtë punonjës të shërbimit zjarrfikës të Prrenjasit, të pajisur me mjetet dhe pajisjet e nevojshme për ndërhyrje. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura Elbasan, ndërsa furnizimi me ujë u realizua përmes një kamioni. Nga ora 12:00 deri në 20:00, ekipet punuan intensivisht për izolimin e zjarrit, në kushte të vështira terreni, duke ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të vënë nën kontroll vatrat aktive.
Sipas shërbimit zjarrfikës të Prrenjasit, gjatë orëve të vona të mbrëmjes zjarri kishte marrë përmasa më të mëdha, por falë ndërhyrjes së ekipeve në terren, vatra është izoluar mirë dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për përhapje të mëtejshme.
Pavarësisht izolimit, shërbimet mbeten në monitorim të zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave, veçanërisht për shkak të pranisë së barit dhe materialit të thatë pyjor, që favorizojnë përhapjen e zjarreve gjatë temperaturave të larta.