AKTUALITET, 16 August 2026, 17:08

Sarandë/ Dhunimi i shefit të Krimeve, 6 persona në pranga dhe një në kërkim, pezullohen dy policë

Një konflikt i dhunshëm i regjistruar në orët e para të mëngjesit në Sarandë ka përfunduar me gjashtë persona të arrestuar, një tjetër të shpallur në kërkim dhe pezullimin e dy punonjësve të Policisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 në rrugën “Butrinti”, në ambientet e jashtme të një lokali, ku rojet e sigurisë ishin përfshirë në një konflikt fizik me disa persona. Në momentin e përplasjes, aty ka kaluar me automjet shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, nënkomisari Mateo Bakalli.

Sipas Policisë, Bakalli ka ndaluar për të ndërhyrë dhe është prezantuar si efektiv policie, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës. Megjithatë, rojet e sigurisë nuk e kanë ndalur përleshjen dhe kanë goditur edhe shefin e Krimeve. Bakalli ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë, ndërsa më pas është dërguar për ndihmë mjekësore.

Pas ndërhyrjes së forcave “Shqiponja” dhe Forcave Kombëtare të Sigurisë, konflikti është neutralizuar dhe personat e përfshirë janë shoqëruar. Në vijim të hetimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, policia ka arrestuar gjashtë persona: administratorin e lokalit M. K., E. N., F. H., I. Ç., A. K., i cili punonte si roje sigurie në lokal, si dhe taksistin B. S. Ndërkohë, P. D., 28 vjeç, roje sigurie, është shpallur në kërkim.

Në lidhje me ngjarjen janë marrë masa edhe ndaj dy punonjësve të Policisë, të cilët ishin të dypunësuar pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti. Ata janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur hetim disiplinor, pasi dyshohet se nuk kanë njoftuar Policinë për përplasjen dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e përshkallëzimit të saj.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës për të dokumentuar të plotë dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.