TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në tre vitet e fundit, Shqipëria kryesoi Europën për rritjen më të shpejtë të net-qëndrimeve turistike të të huajve dhe vendasve, duke njohur zgjerim dyshifror.
Këtë vit, vendi e ka humbur kurorën. Të dhënat e Eurostat bënë të ditur se për periudhën janar-qershor, net-qëndrimet e turistëve u rritën me 9.1% në total, nga e cila 10.2% ishte rritja e vendasve dhe 8.7% e të huajve.
Për gjithë 2025-n, net-qëndrimet ishin zgjeruar me 30%, dukshëm mbi shtetet e tjera të Europës (i dyti pas nesh kishte një rritje prej 10%).
Përveçse ka shënuar rritje në nivel njëshifror, Shqipëria ka zbritur në vendin e tretë, pas Irlandës që kryeson (14.6%) dhe Maltës (9.9%).
Bie në sy rritja e shpejtë e Kosovës, që renditet e katërta në Europë për 6 mujorin, me një zgjerim prej 5.9% (4.5% e turizmit të brendshëm dhe 7.1% e atij ndërkombëtar). Madje në tremujorin e dytë, Kosova ia ka kaluar dukshëm Shqipërisë për rritjen e netqëndrimeve nga turistët e huaj, me + 17.7% në raport me prill-qershor 2025, përkundrejt +8.5% të Shqipërisë për të njëjtën periudhë.
Në Shqipëri, për periudhën janar-qershor 2026 u shënuan 3.38 milion net-qëndrime turistike, nga të cilat 2.45 milionë u kryen nga të huajt.
Në Kosovë, për të njëjtën periudhë u shënuan gati 800 mijë net-qëndrime turistike, nga të cilat 432 mijë ishin nga të huajt.Në gjysmën e parë të vitit 2026, në strukturat akomoduese turistike në Bashkimin Europian u regjistruan 1 miliard e 321 milionë net-qëndrime, me rritje 1.7% krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2025, kur ishin regjistruar 1 miliard e 299 milionë, raporton Eurostat.
Sipas vendeve, Irlanda (+14.6%), Malta (+9.9%) dhe Sllovakia (+5.9%) shënuan rritjet më të larta të net-qëndrimeve në strukturat turistike gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, në nëntë vende numri i net-qëndrimeve ra. Tkurrjen më të fortë e regjistroi Qipro, me 7.7%, e ndjekur nga Rumania, me 6.7%.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, turistët e huaj regjistruan 645.4 milionë net-qëndrime në strukturat akomoduese të vendeve të BE-së, nga 629.4 milionë në gjysmën e parë të vitit 2025, me një rritje prej 2.5%.
Net-qëndrimet e turistëve vendas u rritën me 0.9% në gjysmën e parë të vitit 2026, duke arritur në 675.7 milionë, ose 5.8 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë
Sipas të dhënave për vendet, 18 nga 27 shtetet anëtare të BE-së shënuan rritje të net-qëndrimeve në gjysmën e parë të vitit 2026. Rënia më e madhe u regjistrua në Qipro, me 7.7%, e ndikuar kryesisht nga tkurrja e ndjeshme e net-qëndrimeve të turistëve të huaj, me 8.2%.
Në vlerë absolute, kontributin më të madh në rritjen e përgjithshme prej 21.8 milionë net-qëndrimesh krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2025 e dhanë Italia, Spanja dhe Franca
Italia regjistroi 6.7 milionë net-qëndrime më shumë, duke arritur në 219.5 milionë, Spanja 3.4 milionë më shumë, në 222.8 milionë, ndërsa Franca shtoi 2.6 milionë net-qëndrime, duke arritur në 193 milionë.
Në Itali dhe Francë, rritja u nxit kryesisht nga turizmi i huaj, ndërsa në Spanjë kontributin më të madh në rritjen e përgjithshme gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 e dha turizmi vendas./Monitor.al/.