AKTUALITET, 13 Qershor 2021, 11:49

Zgjedhjet në PD, Gjana: Pjesëmarrja deri tani 17,2 për qind, asnjë nga vëzhguesit e Shehajt nuk u përjashtua

Zgjedhjet në PD, Gjana: Pjesëmarrja deri tani 17,2 për qind,

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike ka bërë për mediat një përditësim rreth pjesëmarrjes në votime për kreun e partisë.

Jemin Gjana bëri të ditur se deri më tani kanë votuar 12,928 anëtarë ose 17.2 për qind e anëtarëve. Ai bëri të ditur se procesi ka vijuar normalisht dhe se nuk ka pasur vonesa apo ndërprerje.

Ndërsa, i pyetur nga gazetarët për akuzat e bërë më herët nga kandidati Agron Shehaj, Gjana tha se nuk ka pasur asnjë rast përjashtimi të vëzhguesve të këtij kandidati.

Ajo që ka ndodhur sipas Gjanës, është se personat në fjalë nuk kanë përmbushur kriteret e nevojshme për ta ushtruar atë funksion.

Fjala e Jemin Gjanës:

Deri në 10 e gjysmë kanë votuar 12 mijë anëtarë, 17.2%

Procesi ka ecur normalisht, nuk ka pasur vonesa në fillimin e procesit, në 2-3 raste ka pasur ndërprerje për qartësimin e situatave të votimit, për anëtarë me kartë, dhe procesi ka vazhduar.

Nuk është përjashtuar asnjë vëzhgues, mbrëmë deri në 12 e gjysmë janë marrë propozimet nga kandidatët për deputetë, kandidati Basha i ka plotësuar komisionet disa ditë më parë, dje kandidati Kadilli ka plotësuar komisionet, me kandidaten Harxhi kemi mbyllur mbrëmë emrat, ka lënë disa komisionet bosh, që ka rënë dakord të mos ketë përfaqësi.

Kemi pasur probleme në 7 apo 8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, erdhën disa propozime, që u refuzuan nga Komisioni, është e qartë se pse, pasi një pjesë e tyre nuk kanë pasur kartë anëtarësie, dhe nuk është pranuar që të ndërrohen vendet nga një komision në një tjetër.

Është refuzuar që në njësinë 2 të jetë vëzhgues një anëtar i njësisë 5.

Unë po ju bëj me dije se vetëm në orët e mëngjesit, derimë tani për llogari të kandidatit Shehaj, janë marrë vendime dhe janë marrë me përfaqësues të tjerë shumë degë në vend.

Në Shkodër ende nuk futet vëzhgues në emër të zotit Shehaj, për shkak se ka shkuar i vëllai, gjë që është e pamundur të bëhet.

Është bërë ndërrimi i vëzhgueses në njësinë 5, e cila shkaktoi për dy orë rresht probleme në qendrën e votimit. Ndalohet fotografimi i listës dhe i fletëve të votimit, zonja ka bërë veprime të kësaj natyre.