TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike e mbështetur edhe nga forcat e tjera opozitare do të nisin një sezon protestash, të cilat do t’i finalizojnë me protestën e 16 shkurtit në Tiranë.
Protesta e shkurtit për demokratët shihet si një finalizim i revoltës popullore, pasi deri në këtë datë, PD do të organizojnë protesta në disa qytete të Shqipërisë.
“Panorama” zbardh vendimin e Kryesisë së PD-së për organizimin e protestave në rrethe dhe përgatitjet për protestën e 16 shkurtit në Tiranë. Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur t’ia delegojë degëve të PD-së në rrethe organizimin e protestave lokale.
Do të jenë të deleguarit e PD-së në çdo qark të vendit, të cilët në bashkëpunim me krerët e degëve lokale do të identifikojnë problematikat lokale, mbi të cilat duhen zhvilluar protestat dhe më pas do të merret vendimi për të protestuar. Protestat lokale në rrethe do të zhvillohen mes datave 2 dhe 12 shkurt, përpara se e gjithë Partia Demokratike të jetë e përqendruar në organizimin e protestës së 16 shkurtit në Tiranë.
“Organizimin e protestave lokale që do të organizohen nga degët në rrethe, ku të identifikohet problematika lokale për të cilën duhet të protestohet, si dhe duke sugjeruar tematikën, formën, gatishmërinë për periudhën e mundshme kur mund të zhvillohet midis datave 2-12 shkurt 2019, si dhe vendin. Nën kujdesin e të deleguarit, disa degë brenda qarkut mund të organizojnë protesta të përbashkëta, ku degët mbështesin njëra-tjetrën”, thuhet në vendimin e Kryesisë.
PROTESTA
Pjesëmarrja e lartë e protestuesve përpara Kryeministrisë pritet të jetë mesazhi kryesor që opozita do t’i japë Edi Ramës më 16 shkurt për t’i treguar se duhet të largohet. Për të arritur këtë objektiv, Partia Demokratike do të zhvillojë takime intensive për të bindur qytetarët që të jenë të shtunën e 16 shkurtit në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Sipas vendimit të marrë në kryesinë e PD-së është parashikuar që të ketë takime derë më derë me qytetarët për t’i ftuar ata në protestën e 16 shkurtit dhe protestat lokale.
Gjithashtu strukturave të PD-së iu është kërkuar të përdorin çdo formë komunikimi për të çuar mesazhin e protestës te qytetarët, duke nisur nga fletushkat, mesazhet telefonike dhe publikime në rrjetet sociale. Strukturave të PD-së në secilin qark u është kërkuar të japin një parash ikim lidhur me pjesëmarrjen që pritet të kenë. Në varësi të parashikimeve që do të bëjë çdo degë për pjesëmarrjen, pritet të sigurohet edhe transporti i protestuesve drejt kryeqytetit.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së dy ditë më parë u përcaktuan edhe të deleguarit në degët e Tiranës dhe qarqet e vendit. Pjesë e listës së të deleguarve ishin edhe anëtarët e rinj të ekipit të Lulzim Bashës.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi do të jetë i deleguar në Tiranë në degën 4, Sekretari Organizativ Sahit Dollapi do të jetë në degën 5 në Tiranë dhe Sekretari për Çështjet Ligjore Çlirim Gjata do të jetë i deleguar në Durrës.
1. Takime derë më derë për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe qytetarëve në protestën e madhe në Tiranë dhe protestat lokale.
2. Parashikimi i pjesëmarrjes si dhe marrja e masave për evidentimin e pjesëmarrjes me qëllim vlerësimin e kontributeve.
3. Përcjellja e mesazhit te qytetarët për sigurimin e pjesëmarrjes maksimale me të gjitha format, takime me strukturat, takime me qytetarët derë më derë, fletushka, njoftime në rrjetet sociale, njoftime me telefonata dhe sms.
4. Përgatitja e logjistikës për transportin. Caktimin e vendit të nisjes nga dega, propozimin e orës së takimit para Kryeministrisë.