BOTA, 29 July 2026, 22:58

Witkoff dhe Kushner drejt Kievit, të dërguarit e Trump kërkojnë të ringjallin bisedimet e paqes në Ukrainë

Të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të zhvillojnë vizitën e tyre të parë në Kiev, në kuadër të përpjekjeve për të rikthyer në tryezë procesin diplomatik për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas “Financial Times”, që citon burime të afërta me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mundësia e kësaj vizite është diskutuar gjatë takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në Kiev, kjo lëvizje shihet si një mundësi për të forcuar marrëdhëniet me administratën amerikane dhe për të siguruar mbështetje të mëtejshme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të dytë të Trump.

Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi në një intervistë për Axios se Witkoff dhe Kushner mund të udhëtojnë drejt Kievit brenda dy javëve të ardhshme. Sipas tij, kjo është një nga rezultatet konkrete të takimit të fundit me presidentin amerikan.

Nëse vizita realizohet, ajo do të jetë hera e parë që dy zyrtarët amerikanë shkojnë në Ukrainë, pas disa udhëtimeve që kanë zhvilluar më herët në Rusi.

Zelensky deklaroi se synon të diskutojë me ta mundësinë e rifillimit të negociatave të paqes me Moskën, si dhe t’u prezantojë nga afër situatën në terren dhe pasojat e luftës.

Sipas presidentit ukrainas, Witkoff dhe Kushner mbështesin një armëpushim që do të krijonte kushtet për një proces të ri diplomatik. Megjithatë, Zelensky shprehu dyshime nëse presidenti rus Vladimir Putin do të pranonte një pezullim të luftimeve.

Pavarësisht skepticizmit, ai theksoi se Ukraina mbetet e gatshme të rikthehet në negociatat e paqes me Rusinë, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit që vijon prej më shumë se katër vitesh.