TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër dy kompani të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), të cilat sipas Uashingtonit u imponojnë anijeve tregtare pagesa sigurimi për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se kompanitë “Persian Gulf Marine Insurance Company” dhe “HormuzSafe Marine Services Authority” pretendojnë se ofrojnë mbulim sigurimi për rreziqe si konfiskimi i anijeve, ndërkohë që këto rreziqe, sipas SHBA-së, krijohen kryesisht nga vetë Irani.
Autoritetet amerikane i akuzojnë gjithashtu këto kompani se gjenerojnë të ardhura përmes këtij mekanizmi dhe pranojnë pagesa në valuta digjitale për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Iranin të mbajë peng tregtinë globale apo të shfrytëzojë transportin detar ndërkombëtar për të financuar aktivitetet e Gardës Revolucionare, të cilat Uashingtoni i cilëson si terrorizëm, agresion dhe represion.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja vendosi masa edhe ndaj anijeve të ashtuquajturës “flotë në hije”, të përdorura për transportimin e miliona fuçive naftë bruto dhe produkteve të naftës iraniane. Departamenti i Thesarit identifikoi tetë kompani transporti detar që, sipas tij, kanë dërguar naftë iraniane nën sanksione drejt Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Irani pretendon autoritet mbi këtë rrugë strategjike detare, ndërsa SHBA-ja deklaron se synon të garantojë lirinë e lundrimit ndërkombëtar, e cila, sipas saj, është cenuar që nga përshkallëzimi i konfliktit mes dy vendeve.