AKTUALITET, 29 September 2026, 20:02

Hoxha në Vjenë, takim me homologen austriake: Shqipëria merr vlerësime për progresin drejt BE-së

Në kuadër të Takimit Ministror të Nivelit të Lartë “Slavkov 3 – Ballkani Perëndimor”, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Vjenë një takim me ministren Federale të Austrisë për Evropën, Claudia Bauer.

Gjatë takimit, Hoxha dhe Bauer diskutuan mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, agjendën e vazhdueshme të reformave, si dhe prioritetet kyçe në kuadër të negociatave.

Ministri i Jashtëm shprehu vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen afatgjatë dhe të palëkundur të Austrisë ndaj rrugëtimit të vendit tonë drejt BE-së, si dhe ndaj së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Sipas ministrit Hoxha, kjo mbështetje përfaqëson një kontribut domethënës për ndërtimin e një Evrope më të fortë, më të bashkuar dhe plotësisht të integruar.

Nga ana e saj, ministrja austriake Claudia Bauer veçoi përparimin e Shqipërisë me negociatat e anëtarësimit, duke e cilësuar atë si një shembull pozitiv të një procesi, që bazohet te merita e vendeve kandidate.

Takimi u fokusua gjithashtu në mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u mbështetur në dialogun e ngushtë politik dhe lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Austrisë.