AKTUALITET, 17 Prill 2020, 11:56

Vrasja e Santiago Malkos/ Zbardhet dëshmia e Selmanit: Ja lidhja që kam me Leonard Dukën, më rrezikohej jeta

Vrasja e Santiago Malkos/ Zbardhet dëshmia e Selmanit: Ja lidhja që


Gazetarja Dorjana Bezat zbardh për “Balkan Web” dëshminë e Ilir Selmanit, i cili u arrestua një ditë më parë në zonën e Xhamllikut, në Tiranë, pasi dyshohet si autori i ekzekutimit mafioz të ish-efektivit Santiago Malko.

Siç bën të ditur gazetarja Bezat, Selmani ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, teksa ka thënë para policëve se nuk e njihte fare Santiago Malkon, por e kishte parë vetëm në televizor.

Mes të tjerash, ai ka treguar edhe pse dilte i armatosur në rrugë, duke thënë se i rrezikohej jeta nga kundërshtarët e tij dhe të Leonard Dukës, me të cilin, ka thënë se ka një lidhje miqësore shumë vjeçare.

“Me Leonard Duken kam lidhje miqësie shumë vjeçare. Nuk e kam takuar prej shume muajsh dhe nuk kam informacion për vrasjen e Santiago Malkos. Nuk e njoh fare, e kam parë vetëm në televizor që flitej për të.

Prej muajsh kam qëndruar i fshehur dhe rrallë kur dilja lëvizja i armatosur, sepse më rrezikohet jeta nga kundërshtaret e mi dhe të Leonardit.

Më kanë thënë se Ervis Martini do të më heqë qafe”, mësohet të ketë thënë Selmani para policëve.

Arrestimi i Selmanit u bë pasditen e djeshme nga Komisariati nr. 2, i cili ka pasur informacion se ai fshihej në një apartament në zonën e Xhamllikut.

Zona është mbajtur në vëzhgim nga agjentë të policisë dhe për lokalizimin e Selmanit kanë ndihmuar lëvizjet e bashkëshortes së tij, e cila shkonte e takonte.