AKTUALITET, 17 Prill 2020, 10:16

Si u zbuluan vatrat e reja me koronavirus në Krujë nga denoncimi i Bashës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Qeveria i mohoi rastet

Si u zbuluan vatrat e reja me koronavirus në Krujë nga denoncimi i


Zbulimi i katër rasteve të reja me koronavirus në një fasoneri në Krujë ka ndodhur që të hënën, por qeveria nuk i ka raportuar rastet.

Ky përfundim faktohet nga zhvillimet e sotme në Krujë, të cilat u paraprinë nga një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën.

Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, ka ngritur shqetësimin e infeksionit përmes fasonerive dhe ka kërkuar mbylljen e tyre.

Kjo kërkesë, e përsëritur rregullisht në publik nga Basha që prej shpërthimit të epidemisë, u refuzua nga kryeministri Rama edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare para dy ditësh.

Të njëjtat burime konfirmojnë se Basha ka këmbëngulur duke iu referuar rasteve konkrete. Ai ka përmendur infektimin e disa personave nga punonjësja e fasonerisë në Shkodër, i bërë publik të premten e kaluar, si dhe ka folur për vatra të reja infektimi në Krujë.

“Sot kemi tre raste në një fasoneri në Krujë, çka tregon se po kthehen në rrezik përhapjeje- mësohet të jetë shprehur Basha gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën. Por informacioni që kreu i opozitës i dha Këshillit të Sigurisë u mohua nga qeveria.

Mësohet se Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndërhyrë duke u shprehur se “Nuk ka asnjë rast me COVID 19 në Krujë”. Mbyllja e fasonerive ka qenë një nga pikat e propozuara nga Basha në planin fillestar të PD për masat anti-COVID, sapo u konfirmua rasti i parë i infektuar, në 9 mars.

/ Balkan Web