AKTUALITET, 31 Korrik 2021, 17:00

Vrasja e kushëririt për çështje pronësie, autori vetëdorëzohet me praninë e avokatit: Unë e qëllova me armë dhe mbaj përgjegjësi, të lirohet nipi dhe vëllai

Vrasja e kushëririt për çështje pronësie, autori


Ditën e sotme është vetëdorëzuar në organet e drejtësisë Kastriot Hasalla, autori i tretë i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij në fshatin Garrunjas të Lushnjes. Sikundër njofton policia për arrestimin e tij, Hasalla sëbashku me avokatin e tij, janë dorëzuar në organet e drejtësisë.

Në një intervistë për Tv Klan, Kastriot Hasalla ka pranuar autorësinë e vrasjes së kushëririt të tij, Romeo Hasalla për çështje pronësie. Ai thotë se ka qenë ai që ka qëlluar me armë dhe asnjë prej të arrestuarve të tjerë nuk ka goditur.

Më tej Hasalla sqaron se pse nuk është vetëdorëzuar në komisariat por ka zgjedhur të dorëzohet me praninë e avokatit, ai shprehet se nuk ka besim tek drejtësia shqiptare.

Gazetarja: Kush jeni ju?

Kastriot Hasalla: Unë quhem Kastriot Hasalla.

Gazetarja: Ju jeni autori që kryet vrasjen?

Kastriot Hasalla: Po! Unë them vetëm drejtësinë dhe si ka ndodhur do t’i tregoj më tutje.

Gazetarja: A keni qëlluar ju me armë?

Kastriot Hasalla: Po unë kam qëlluar.

Gazetarja: Pse u dorëzuat te avokati dhe jo te policia?

Kastriot Hasalla: Në polici nuk kisha besim, se nuk ka drejtësi. Për çfarë kam bërë mbaj përgjegjësi deri në fund. Çuni duhet të lirohet me gjithë vëllain se nuk ka përgjegjësi fare. Unë kam qëlluar, mbaj përgjegjësi deri në fund. Mjetet e mia duhet të lirohen, se nuk e kanë bërë mjetet krimin.

Ndërkohë avokati Ilir Dervishi thotë se kjo ngjarje nuk ka rrethana të tjera cilësuese dhe nuk ishte me paramendim. Teksa i shpreh ngushëllime familjarëve që humbën të riun, avokati thotë se ngjarja ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike të klientit të tij.

Avokati, Ilir Dervishi: Unë jam avokati Ilir Dervishi që përfaqësoj klientin tim. E rëndësishme është që klienti me vullnetin e tij të lirë po shkon të dorëzohet pranë organeve të drejtësisë. Ka dashur të dorëzohet që ditën e parë, por nuk e di arsyen pasi 50 minuta kemi që kemi kontaktuar bashkë. Kemi kontaktuar shefin e komisariatit, prokurorin e çështjes, drejtuesin e Prokurorisë së Lushnjes, për veprimin e klientit tim, por meqë jam përballë jush, edhe në emër të klientit tim dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së viktimës, por edhe shërim sa më të shpejtë të të plagosurve. Kjo është një ngjarje e rëndë, por edhe një ngjarje që nuk ka patur rrethana të tjera përveç atyre rastësore, që nuk ka pasur paramendim, por ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike të klientit tim dhe duke parë jetën e djalit që rrezikohej nga kërcënimi me armë i palës tjetër.

Më herët gjatë ditës së sotme, policia e Lushnjes njoftoi se kishte arrestuar Kastriot Hasallën në një banesë ku ishte fshehur ai. 49-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.

Dy ditë më parë u arrestuan edhe dy autoret e tjere te dyshuar, përkatësisht shtetasin Afrim Hasalli, 42-vjeç dhe nipi i tij, Marjus Hasalla, 20-vjeç.

Viktima Romeo Hasalla, jetonte dhe punonte prej vitesh në Greqi. Babai i dy fëmijëve të mitur ishte kthyer të hënën e shkuar në shtëpinë e prindërve për të kaluar pushimet. Ndërkohë, dy vëllezërit  Kastriot dhe Afrim Hasalla, që dyshohen si autorë të ngjarjes, ishin rezidentë në Itali.

KRIMI 

Një parcelë e mbjellë me ullinj në një kodrinë në fshatin Garunjas është bërë shkak për debate të vazhdueshme midis kushërinjve të parë derisa ngjarja ka kulmuar  me përdorimin e armëve të zjarrit. Ndërsa 65-vjeçari dhe djemtë e tij kanë shkuar me traktor pranë parcelës për ta punuar rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, atje ishin edhe dy vëllezërit.

Pasi janë konfliktuar verbalisht, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarrit të llojit çifte, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme djalit të xhaxhait, vetëm 30 vjeç, i martuar dhe me dy fëmijë të vegjël. Mësohet se 65-vjeçari dhe dy djemtë e tij kanë shkuar me makinë private në Spitalin e Lushnjës për të marrë mjekim, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

KONFLIKTI

Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se Shuaip Hasalla dhe tre djemtë e tij kanë shkuar që në orët e para të ditës  së enjte në tokat e tyre, por një sipërfaqe e vogël e pazgjidhur midis tyre është kthyer prej vitesh në “mollë sherri”. Pasi kishin debatuar disa ditë më parë, dy familjet e kishin lënë ngjarjen të qetësohej, por Shuapi pasi i kishte ardhur edhe djali nga Greqia kishte vendosur ta punonte me traktor.

Këtë fakt nuk e ka pranuar dot familja tjetër e vëllait të Shuaipit, që e kanë marrë si tregim force nga ana e kushërinjve të tyre,  të cilët kishin shkuar të përforcuar në arë. Kështu sapo i kanë parë, djemtë e vëllait të Shuaipit, shtetasit Kastriot dhe Afrim Hasalla, duke i konsideruar “uzurpues të tokës”, kanë hapur zjarr mbi ta.

Dëshmia e nënës së viktimës: Toka e shtetit, konflikti për ullinjtë

Por disa orë pas ngjarjes, nëna e viktimës ka thënë se nuk bëhej fjalë thjesht për një tokë, por për ullinjtë që djemtë e saj kishin mbjellë në të. E rënduar psikologjikisht, nëna e viktimës ka pranuar që kjo sipërfaqe toke që i përket shtetit, por ata pretendojnë pronësinë. “Ajo është tokë shtet. Çunat e patën mbjellë, është toka ime, vajtën atje dhe nuk di nëna më gjë. Për punë toke, që i rëntë zjarri! Do ketë prishur ullinjtë që ka mbjellë çunat, vajtën me zetor për të prishur ullinjtë andej. Kaq di nëna”, thotë ajo për mediat.