AKTUALITET, 6 Nëntor 2018, 13:45

Vrasja e Ibrahim Bashës, përfundon ankimimi i 9 të akuzuarëve/ EMRAT

Vrasja e Ibrahim Bashës, përfundon ankimimi i 9 të

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka përfunduar shqyrtimin e ankimimit për 9 të akuzuarit për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat në qershor 2015. Ne dosjen ‘Lazarati 2’ Gjykata e Apelit ka vendosur që seancën për shpalljen e vendimit ta japë në 20 nëntor.

Kujtojmë se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burg përjetë për Arbion Alikon, Bajram e Elvis Bocia. Gjithashtu pretenca ka kërkuar 118 vite burg për 8 të akuzuarit e tjerë.

Pretenca e Prokurorisë për grupin që vrau efektivin e FNSH në Lazarat në vitin 2015:

Arbjan Aliko, Elvis Boçia e Borjan Boçia, burg përjetë.

Xhulio Malo 10 vite

Albion Aliko 17.6 vite

Elson Kazma 17.6 vite

Klodian Selimi 5 vite

Oltion Proko 9 vite

Dervish Çoko 18 vite

Rohan Hirja 18 vite

Iliaz Xhaferaj 18 vite

Vrasja e Ibrahim Bashës:

Mesnatën, duke u gdhirë data 24 qershor 2015, forcat e policisë kanë nisur operacion në zonën e Lazaratit, pasi kishin informacione se disa të rinj po përgatiteshin për veprime kriminale. Gjatë kontrolleve, pranë qendrës së fshatit, forcat speciale të Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xhulio Malo, i cili po drejtonte një mjet, ku gjendeshin armë të ndryshme dhe lëndë narkotike kokainë.

Pas arrestimit, forcat speciale kanë njoftuar kolegët e tyre, të cilët gjendeshin në një furgon, për të realizuar shoqërimin e Malos. Në momentin që furgoni po afrohej, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, nga një largësi rreth 200 metra. Nga goditjet me armë ka mbetur i vdekur efektivi i policisë, Ibrahim Basha, si edhe janë plagosur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj.

Në vijim të operacionit policor dhe, më tej, nga hetimet e drejtuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, u arrit të identifikoheshin dhe të arrestoheshin 11 pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.