AKTUALITET, 21 Janar 2020, 16:06

Vllaznia nuk njeh hapa fals me Flamurtarin, vlonjatë gjendje kritike

Vllaznia nuk njeh hapa fals me Flamurtarin, vlonjatë gjendje kritike

Vllaznia ia ka dalë ta nisë me këmbë të mbarë vitin teksa kanë mposhtur në shtëpi me rezultatin e pastër 2-0 Flamurtarin. Shkodranët e kishin ndeshjen gjatë gjithë kohës në kontroll duke dominuar vlonjatët. Mirëpo, për të zhbllokuar takimin iu desh një penallti në minutën e 37-të. Nga 11 metrat, kapiteni Lika nuk fali dhe ia doli të fitonte duelin me portierin Moçka.

Kuqezinjtë u munduan të reagonin në pjesën e mbetur, teksa një mundësi e artë u shfaq për Harunin në minutën e 44, megjithatë portieri Sherri neutralizoi rrezikun. Sa i përket fraksionit të dytë, shkodranët u kujdesën të menaxhonin avantazhin, ndërsa Flamurtari herë pas herë lëshonte ndonjë shkëndije se nuk ishte dorëzuar. Megjithatë, trajneri Jonuz luajti kartën fituese. Tekniku aktivizoi brazilianin Hygor që u rikthye pas disa muajve mungesë.

Hygor u prit me ovacione nga shkallët e stadiumit dhe në fakt ia shpërbleu gëzimin tifozëve, teksa në minutën e 82 realizoi një perlë me roveshatë. Pas këtij momenti nuk pati histori dhe Vllaznia mori tri pikë të arta, ndërsa tashmë ngjitet në vendin e gjashtë. Ndërkohë, Flamurtari zhytet gjithnjë e më shumë në fund të tabelës dhe situata është kritike.