BOTA, 31 July 2026, 12:45

VIDEO/ Skena si në film, në plazhin Marina di Ragusa; Çanta me 700 mijë euro del në breg

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në plazhin Marina di Ragusa në Siçili. Mediat italiane kanë publikuar një video ku shfaqen qindra mijëra euro që kishin përfunduar në det dhe që më pas u nxorën në breg nga dallgët. Pushuesit mbetën të habitur kur panë pako me kartëmonedha që notonin në ujë.

Sipas autoriteteve italiane, gjithçka nisi kur një skaf i vogël mbeti pa karburant pranë portit të Marina di Ragusa. Në bord ndodheshin katër persona. Dy prej tyre zbritën për të siguruar karburant, ndërsa një burrë dhe një i mitur mbetën në mjet, i cili u shty nga rrymat detare drejt bregut.

Pushuesit njoftuan rojën bregdetare, duke menduar se skafi ishte në rrezik të fundosej. Por sapo mjeti i rojës bregdetare iu afrua për t’i ndihmuar, dy personat që ndodheshin në skaf nisën të hidhnin në det dhjetëra pako të mbushura me kartëmonedha.

Rrymat i sollën pakot deri në plazh, ku pushuesit nxituan t’i merrnin. Pak më vonë, në vendngjarje mbërritën policia, karabinierët dhe efektivët e policisë financiare, të cilët rrethuan zonën, sekuestruan paratë dhe identifikuan persona që kishin marrë një pjesë të tyre.