BOTA, 30 July 2026, 19:12

Mijëra të evakuuar në Greqi, zjarret përfshijnë edhe Portugalinë mes valës së të nxehtit në Evropë

Mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga ishulli grek i Kretës, ndërsa zjarret e fuqizuara nga erërat e forta vazhdojnë të kërcënojnë vendbanimet dhe zonat turistike.

Sipas autoriteteve greke, rreth 8 mijë persona u evakuuan gjatë natës në rajonin e Rethymnos, ku erërat kanë arritur shpejtësi deri në 125 kilometra në orë, duke vështirësuar përpjekjet për shuarjen e flakëve. Situata është rënduar edhe më tej pasi tre zjarrfikës humbën jetën gjatë operacioneve të së mërkurës.

Greqia është ndër vendet evropiane më të goditura nga zjarret dhe thatësira, ndërsa vala e të nxehtit ekstrem po përfshin një pjesë të madhe të kontinentit. Meteorologët paralajmërojnë se rreziku nga zjarret do të zgjerohet gjatë ditëve në vijim drejt Evropës Qendrore, me Greqinë dhe Turqinë që mbeten ndër zonat më të rrezikuara.

Ndërkohë, një zjarr i madh vazhdon të përhapet edhe në verilindje të Portugalisë. Mbi 800 zjarrfikës janë angazhuar në dy vatra të mëdha zjarri, ndërsa mediat lokale raportojnë se disa shtëpi janë shkrumbuar në fshatrat e prekura. Autoritetet në të dy vendet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të respektojnë urdhrat e evakuimit dhe të shmangin zonat e rrezikuara, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë betejën me flakët.