AKTUALITET, 3 Nëntor 2019, 18:38

Rezistenca e banorëve të "Astirit" mbush një vit, sot protestuan ndryshe

Rezistenca e banorëve të "Astirit" mbush një vit, sot

Si sot, një vit më parë banorët e "Astirit" nisën protestën e tyre kundër projektit të Unazës së Re, i cili parashikon shembjen e banesave të tyre për të zgjeruar rrugën.

Afera e Unazës së Re, u denoncua nga emisioni "Të Paekspozuarit" i Ylli Rakipit, i cili zbuloi se një kompani fantazmë, kishte fituar tenderin për rindërtimin e këtij segmenti dhe paratë do të shkonin në Delaware të SHBA-së.

"Të Paekspozuarit", zbuloi se kompania DH Albania, kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Delaware dhe të gjithë dokumentacionin e dorëzuar në QKB.

Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit të Delaware, konfirmoi për TPZ, këtë mega skandal, për të cilin ende nuk ka një përgjegjës.

Kjo ka qenë një nga protestat më afatgjata dhe njëkohësisht e veçantë në llojin e saj, pasi banorët të mbështetur edhe nga opozita e bashkuar, dalin çdo mbrëmje në rrugë dhe bëjnë thirrje ndaj qeverisë për të plotësuar kërkesat e tyre.

Me moton “mbrojmë familjet tona”, banorët a "Astirit" sot kanë zgjedhur që të protestojnë ndryshe!

Në një video-projektor, ato kanë bërë një përmbledhje të momenteve kyçe të protestave të tyre përgjatë këtyre 12 muajve dhe më pas kanë nisur fjalimet, ku nuk kanë munguar akuzat për qeverinë e kryeministrit Rama.

Si çdo ditë, në protestë ka qenë i pranishëm ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu.

“Rama nuk arriti t’i mposhte këto heronj dhe t’i shemb shtëpitë e tyre. Opozita e bashkuar ka qenë në mbështetje të kësaj kauze, e kemi mbështetur këtë kauzë që në ditën e parë dhe do të vijojmë që ta bëjmë”, tha mes të tjerave Balliu.