LIFESTYLE, 16 July 2026, 14:06

Angelina Jolie nis një kapitull të ri, gati të largohet nga Los Angeles pasi binjakët e saj mbushën 18 vjeç

Angelina Jolie po përgatitet për një fazë të re të jetës së saj, pasi dy fëmijët e saj më të vegjël, binjakët Vivienne dhe Knox, mbushën 18 vjeç më 12 korrik. Sipas një burimi për revistën “People”, aktorja është tashmë “gati” të ketë më shumë liri dhe të udhëtojë më shumë me fëmijët e saj, duke u larguar gradualisht nga jeta në Los Angeles. “Ajo ka vite që flet për largimin nga Los Angeles”, tha burimi, duke shtuar se Jolie është e lumtur që ka më shumë fleksibilitet në jetën e saj.

Jolie, e cila ka gjashtë fëmijë, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh, Vivienne dhe Knox, ka treguar më herët se ka dashur që fëmijët e saj të rriten duke njohur botën dhe kultura të ndryshme. Aktorja ka deklaruar në një intervistë për “The Hollywood Reporter” në vitin 2024 se kishte qëndruar në Los Angeles për shkak të divorcit dhe kujdesit ndaj fëmijëve, por se pasi binjakët të mbushnin 18 vjeç do të ishte në gjendje të largohej.

“Kur ke një familje të madhe, do që ata të kenë privatësi, paqe dhe siguri”, ishte shprehur Jolie, duke shtuar se dëshironte të kalonte më shumë kohë në Kamboxhia dhe të vizitonte familjarët e saj në vende të ndryshme të botës. Në maj të këtij viti, Jolie nxori në shitje edhe pronën e saj në Kaliforni, e cila më parë kishte qenë në pronësi të regjisorit të njohur Cecil B. DeMille, me një vlerë prej 29.85 milionë dollarësh.

Jolie dhe ish-bashkëshorti i saj Brad Pitt, me të cilin ka gjashtë fëmijë, përfunduan divorcin në dhjetor të vitit 2024, pas një procesi të gjatë ligjor që nisi në vitin 2016. Ndërkohë, aktorja ka vijuar edhe angazhimet profesionale. Projektet e saj të ardhshme përfshijnë thrillerin kriminal “Sunny” dhe komedinë kriminale “Anxious People”.