AKTUALITET, 13 Janar 2018, 20:40

VIDEO / Kukësi jep spekatakël, por dy penallti i heqin fitoren nga duart me Fenerbahçen

VIDEO / Kukësi jep spekatakël, por dy penallti i heqin fitoren nga

Kukësi i Peter Pakult duhet të frikësojë skuadrat e tjera të Superiores pasi nuk ka thuajse asgjë të përbashkët me skuadrën e brishtë që la Mlladen Milinkoviç në dhjetor. Nën drejtimin e teknikut austriak verilindorët janë transformuar plotësisht dhe po të mos ishte për dy penallti, sot ndaj Fenerbahçes do të kishin dalë nga fusha e lojës me një fitore që do të kishte qenë plotësisht e merituar.

Skuadra shqiptare dha spektakël në fushë, duke shënuar dy herë në pjesën e parë me Bakajn (supergol) dhe Idrizin, duke tronditur vendasit të cilët shihen mes pretendentëve në Turqi.

Në pjesën e dytë vendasit shkurtuan diferencën me Giulianon me një penallti pas faullit të Shametit, ndërsa më pas të dy skuadrat krijuan raste të shumta për të shënuar. Kukësi shpërdoroi me Kale, Bakajn e Shkodrën mundësi të mira shënimi, ndërsa Fernandao gjuajti disa herë drejt kuadratit që u mbrojt fillimisht nga Koliçi e më pas nga Frashëri.

Në fund të ndeshjes, kur mendohej se Kukësi po i afrohej fitores, verilindorët u ndalën nga një penallti shumë e diskutueshme e dhënë nga gjyqtari pas një ndërhyrje të Allës. Fernandao shënoi nga pika e bardhë duke vulosur barazimin 2-2 që gjithsesi nuk zbeh aspak provën e kampionëve në fuqi të Superiores.

Fenerbahçe-Kukësi 2-2

49′ (p) Giuliano, 90’+1′ (p) Fernandao / 28′ Bakaj, 34′ Idrizi

Formacionet titullare

Fenerbahçe: Ersu, Isla, Nojshtaderr, Gyveli, Kot, Karakoç, Gyçtekin, Mehmet Topal, Valbuena, Potuk, Soldado.

Kukësi: Koliçi, Idrizi, Hoxha, Alla, Shameti, Rrumbullaku, Musolli, Dzaria, Kale, Bakaj, Guri.