BALLKAN, 13 August 2026, 17:34

VIDEO/ Greqia nën kërcënimin e zjarreve, turistët dhe banorët urdhërohen të largohen nga zonat e rrezikuara në Halkidiki

Një zjarr ka shpërthyer këtë të enjte në Halkidiki, një prej destinacioneve më të njohura turistike në Greqi. Për shkak të flakëve, autoritetet greke kanë dërguar mesazh urgjent përmes sistemit 112, duke u kërkuar banorëve dhe turistëve që ndodhen në zonën e Sivirit të largohen menjëherë.

Sipas njoftimit të Mbrojtjes Civile, personat që ndodhen në Siviri janë udhëzuar të lëvizin drejt Mola Kalivës dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 52 zjarrfikës me 12 mjete, ndërsa nga ajri po ndërhyjnë tre avionë dhe një helikopter. Halkidiki ndodhet sot në nivelin 4 të rrezikut nga zjarret, që konsiderohet rrezik shumë i lartë. 

 

Situata vjen në një kohë kur Greqia po përballet me shpërthime të reja zjarresh, të favorizuara nga vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin. Vetëm pak ditë pasi u vu nën kontroll një zjarr vdekjeprurës në rajonin e Atikës, rreth 200 zjarrfikës po luftojnë me vatra të reja në juglindje të Athinës. Sipas raportimeve, të paktën pesë zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit në përpjekje për të shuar flakët.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), deri tani janë djegur mbi 30 mijë hektarë tokë në Greqi. Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur nivelin 4 të rrezikut nga zjarret edhe në rajone të tjera, përfshirë Atikën, Peloponezin, Kretën dhe zonën e Athinës së Madhe, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 35 gradë Celsius.