AKTUALITET, 19 Maj 2018, 19:44

Video ekskluzive/ “Bolv Oil” merr naftë bruto nga depozitat e Albpetrol, ku e çon?!

Video ekskluzive/ “Bolv Oil” merr naftë bruto nga depozitat e

Disa video ekskluzive të sigurara nga Tpz.al, zbulojnë mënyrën e transportimit të naftës, nga një prej kompanive më të mëdha në Shqipëri, "Bolv Oil". Banorët e zonës naftë mbajtëse Patos-Marinzë për disa ditë me radhë janë ankuar, se dhjetëra autobotë të kompanisë “Bolv Oil” mbushen te depozitat e naftës së Albpetrol. Sipas tyre, këta autobotë pasi mbushen me naftë të saponxjerrë nga nëntoka transportohen në Shqipëri.

Pas këtij denoncimi, Tpz.al shkoi në këtë vendburim, në afërsi të fshatit Zharrëz në Patos, ku kompania shtetërore Albpetrol ka disa depozita. Buzë rrugës nacionale Fier – Berat, pikërisht në zonën që pretendonin banorët, kishte dhjetëra autobotë me logon e “Bolv Oil”.

Ato mbusheshin në depozitat e naftës dhe pasi peshoheshin, shpërndaheshin në Shqipëri. Tpz.al, nëpërmjet videove faktoi pikërisht denoncimin e banorëve, ndërsa tashmë i takon autoriteteve shtetërore që të verifikojnë nëse kjo naftë tregtohet në Shqipëri apo del jashtë saj për tu përpunuar.

Aktualisht, në Shqipëri ka vetëm disa rafineri private, ndërsa rafineria më e madhe, ARMO në Ballsh, prej disa muajsh nuk është vënë në punë, si pasojë e borxheve të mëdha.

Megjithatë, ajo çka duhet të verifikojnë autoritetet shtetërore është edhe cilësia e naftës në karburantet e shumtë të kompanisë “Bolv Oil”. Kjo i takon Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), që të analizojë naftën dhe të sqarojë opinionin publik për cilësinë. Disa kompani nafte janë vënë shpesh nën akuzë për faktin e përzierjes që i bëhet produktit qe vjen nga importi, me naftën që prodhohet ne vend apo me lloje të tjerë holluesish, duke rritur artificialisht sasinë.

Edhe pse ka kompani përpunuese të naftës në Shqipëri, sërish nuk arrihet standardi i kërkuar nga Bashkimi Europian. Deri më sot, Albpetrol e ka shitur naftën për eksport, në mënyrë që të përpunohet jashtë Shqipërisë. Ekspertët thonë se nafta shqiptare kurrësesi nuk mund të përdoret për tregun e brendshëm, pasi përmban nivel të lartë squfuri.

Ndërkohë kompanitë e tjera që operojnë me tregtimin e naftës në Shqipëri, si Kastrati apo ELDA, importojnë naftën nga jashtë. Nafta e importuar është e një cilësie më të mirë, pasi është rafinuar në kompani të mëdha të përpunimit të naftës.

Çdo ditë në rrugët e Shqipërisë lëvizin rreth 536 mijë mjete të transportit rrugor, ku 80% e tyre përdorin naftën për të qarkulluar. Mesatarisht, 2.2 milionë tonë naftë dhe nënprodukte të saj “digjen” çdo vit në rrugët e vendit. Pyetja që lind, nëse kjo naftë është hedhur në treg, atëherë kush mban përgjegjësi? Kompania shtetërore Albpetrol apo kompania private "Bolv Oil"?

Reagon Albpetrol, sqaron furnizimin e "Bolv Oil" por mbetet enigëm se ku përfundon kjo naftë bruto

Zëdhënësi i Albpetrol, Ened Janina, reagoi për lajmin e publikuar në Tpz.al se kompania "Bolv Oil" transporton naftë bruto duke ngritur dyshime se kjo mund të rihidhet në treg. Janina u shpreh se Albpetrol sh.a shet naftën bruto sipas kontratës që ka lidhur me fituesin e ankandit, kompaninë "Izvori 99".

"Kjo kompani tërheq naftën bruto sipas grafikut të paracaktuar në pikat e miratuara të shitjes, të cilat fuksionojnë edhe si magazina doganore. Ndër mjetet që tërheq naftën bruto kompania "Izvori 99" janë edhe autobotet e kompanisë Bolv oil. Shitja e naftës nga Albpetrol sh.a kryhet konform kontratës dhe ligjeve të shtetit shqiptar." - thuhet në reagimin e zëdhënësit Ened Janina, dërguar në Tpz.al.

Por Albpetrol, nuk sqaroi se ku shkon kjo naftë bruto, a hidhet për konsum në tregun shqiptar apo del jashtë për tu përpunuar.

Tpz.al nuk dyshon tek vërtetësia e mbushjes së autoboteve të Bolv Oil, por tek destinacioni final se ku shkon kjo naftë e papërpunuar. Pra, a qarkullon në pikat e karburantit, naftë bruto?

Reagon Bolv Oil: Ne furnizohemi me SHELL, naftën e Albpetrol e transportojmë për Bankers dhe Izvor 99

Kompania e naftës, BolV Oil, ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar në Tpz.al, për një video ku shihen autobotet që furnizohen me naftë tek Albpetrol. Bolv Oil bën të ditur se prej 15 vjetësh kryen transport të naftës me 120 autobote. Në reagim thuhet se Bolv Oil është kontraktuar nga kompania Izvor 99 dhe Bankers Petroleum për të transportuar naftën e Albpetrol. Bolv Oil thekson gjithashtu se pikat e saj të karburantit furnizohen me SHELL, kompaninë botërore prestigjoze të naftës.

Ndërkohë TPZ.AL, po kryen verifikime dhe po investigon të gjitha pretendimet e “Bolv Oil” dhe ditët në vijim do të publikojë të tjera të dhëna.

Më poshtë reagimi i plotë:

Reagim publik !

Duke u nisur nga artikujt e publikuar këtë fundjavë për një akuzë të ngritur mbi cilësinë e karburantit ne stacionet e sherbimit Bolv-Oil, dëshirojmë të bëjmë një sqarim shumë të rëndësishëm për të gjithë klientët tanë dhe jo vetëm.

Bolv-Oil sot përfaqëson një nga kompanitë me te medha te importit dhe te transportit te karburanteve ne Shqiperi. Që nga krijimi , kompania ka qenë shumë e suksesshme duke ofruar shërbime me cilësi të lartë te produkteve qe shet ne stacionet e sajpo ashtu dhe ne transportin e ketyre produkteve dhe  veçanërisht në transportin e naftes bruto, me nje flote prej me shume se 120 autobote.

Bolv-Oil sh.a ka menaxhuar transportin e naftës bruto në volume te larta, sipas kontrates me kompanine prestigjoze Bankers Petroleum prej 15 vitesh dhe ne vazhdim.  Duke filluar nga viti 2017, ky sherbim ofrohet dhe per llogari te Kompanive te ndryshme sic eshte kompania Izvor 99, e cila ka fituar ankandin per kete produkt te organizuar nga shoqeria Albpetrol Sh.a

Video e publikuar nga TPZ.AL si dhe JOQ, që supozohet të jetë një video e kapur në flagrancë nga banorët e zonës, është thjesht aktiviteti I përditshëm i transportit të naftës bruto i zhvilluar nga kompania Bolv-Oil, për llogari të të tretëve, duke qenë se  Bolv-Oil është kompania me e madhe ne treg  që bën transport të ketij produkti prej15 vitesh, sic eshte shpjeguar me larte.

Kjo naftë, për të gjithë ata që nuk e dinë, në pamje të parë është si serë, pra naftë jo në formën e saj finale të përdorimit , gjë që e bën të pamundur tregtimin e saj neper pikat e karburanteve si nafte per automjetet.

THEKSOJMË EDHE NJËHERË, BOLV-OIL ËSHTË KOMPANIA E CILA BËN TRANSPORTIN E KËSAJ NAFTE QË DEL NGA NËNTOKA SHQIPTARE. NAFTA BRUTO NE SHQIPERI LEVIZ ME REGJIM DOGANOR (DSHA), FAKT QE DIHET NGA TE GJITHE, Dhe Vertetohet shume Lehte Nga Institucionet Perkatese.

Është për të ardhur keq ku arrin konkurenca jo e ndershme  e disa kompanive qe operojne ne kete fushe.

Në qoftë se nafta bruto do të tregtohej direkt sic nxirret në formë sere, atëherë s’do të ekzistonin rafineritë, të cilat bëjnë rafinimin e nenprodukteve te saj sic eshte Gazoili  ( Nafta) e te tjera për përdorim final në stacionet tona të karburanteve.

Bolv-Oil tregton produkte brenda të gjitha standarteve të shtetit tonë në të gjitha pikat e saj të shitjes. Ne sigurojmë të gjithë klientët tanë që puna jonë është profesionale, transparente dhe me cilësinë maksimale.

Një nga produktet më prestigjoze që ne tregtojmë, Produkti Ë-poëer, importohet nga gjigandi Shell i naftës nga depozitat e tij ne shtetin grek, vjen i certifikuar dhe i kontrolluar nepermjet  organeve kompetente dhe ka arritur shitje të jashtëzakonshme në tregun shqiptar.

Ne premtojmë që do të vazhdojmë t’ju ofrojmë shërbimet tona me po të njëjtën cilësi dhe do të lëmë punën tonë të  flasë vetë për të.

Faleminderit që zgjidhni BOLV-OIL!

/TPZ.AL/E.H

Më poshtë video e furnizimit të autoboteve të Bolv Oil, tek Albpetrol:

https://youtu.be/sFRQ8chK9a0