TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Kokëdhima tha se Fatmir Xhafaj po sulmohet nga Rilindja dhe PD, sepse i ka prekur me punën e tij si ministër i Brendshëm prej shtatorit 2017.
Do doja një koment tuajin në lidhje me shfaqjen e dëshmitarit me zë dhe me figurë…
Kjo ngjarje, e cila po zhvillohet gjatë këtyre dy javëve, përplasja për ministrin e Brendshëm, ka pozicionuar të gjitha palët, dhe “Zgjidhja” ka pozicionin e vet, vlerësimin e saj për gjërat. Nuk do bëj ndonjë koment për dëshmitarin, pasi këto janë episode për të cilat nuk mund të them ndonjë gjë. Por do bëj një vlerësim politik ët situatës. Siç e kemi deklaruar edhe para 10 ditësh, ne mendojmë se Xhafaj është një eksponent i politikës së vjetër në Shqipëri. Kjo është e vërteta, sepse ai ka më shumë se 20 vjet deputet, ministër, sekretar i Këshillit të Ministrave, me kryeministra të ndryshëm në PS. Mendoj se ai është bashkëpërgjegjës me të gjithë ministrat e tjerë të PS për të gjithë këtë tranzicion të vështirë që ka kaluar Shqipëria nën përgjegjësinë e PS dhe PD. Edhe pse ai nuk ka qenë kryeministër i Shqipërisë, natyrisht që roli vendimtar dhe përgjegjësia vendimtare i kalon kryeministri të radhës, unë mendoj se Xhafaj është përgjegjës për gjithë zhvillimet shumë të vështira të Shqipërisë në këto 27 vjet.
Referuar asaj që ju keni deklaruar disa ditë më parë se Xhafaj po sulmohet nga Rilindja dhe PD, sepse i ka prekur me punën e tij si ministër i Brendshëm prej shtatorit 2017. Mund të na shpjegoni kë ka prekur dhe cilat janë lidhjet e atyre që ju i etiketoni si parti të vjetra, me krimin e organizuar?
Nuk kam për qëllim që të mbroj Xhafajn, as nuk kam ndonjë raport personal me të, por duhet të jemi realistë në analizat që bëjnë, që të kuptojmë dhe të orientohemi si duhet. E më pas duhet të identifikojmë aktorët dhe të kuptojmë lojën e tyre. Partitë e vjetra, kryesisht PD dhe PS janë parti të kriminalizuara që kanë kriminalizuar gjithë shtetin shqiptar dhe e kanë sjellë vendin në këtë derexhe. Mos të zgjatemi pasi populli këto gjëra i di shumë mirë. Kanë shkatërruar ekonominë, kanë vjedhur gjithçka, dhe kanë kriminalizuar gjithçka. Kanë shkatërruar administratën e vendit, i kanë marrë ato njerëzit më pa vlera i kanë hipur në krye, njerëzit me precedentë penalë, njerëzit me diploma false, njerëzit me 100 vese të këqija, njerëz të pasjellshëm, të paedukuar, të pakulturuar, dhe ju kanë dhënë këtyre të drejtojnë institucionet, shtetin, përgjegjësitë, ekonominë, etj. Kështu ne kemi një situatë reale ku ministria e Brendshëm u bë praktikisht karteli i marijuanës në Shqipëri. Kush e bëri këtë? E bëri Edi Rama me Saimir Tahirin. Ky nuk ishte kriminalizimi rastësor, as si rezultat i ndërhyrjes se mafiozëve të drogës me para apo mënyra të tjera të korruptimit të policisë, por ky ishte një plan i qartë i implementuar nga koka e shtetit dhe e qeverisë. Kjo polici me ministër Fatmir Xhafën nuk është më kartel i drogës por është Polici e Shtetit. Na pëlqen apo s’na pëlqen ne, Fatmir Xhafaj e ka vënë këtë polici në shërbim të rendit dhe të sigurisë, dhe sigurisht që ky është një zhvillim i padëshiruar për partitë e vjetra të cilat punojnë në bashkëpunim krejtësisht të ngushtë me njëra-tjetrën. Rama dhe PD janë një, kush nuk e kupton është thjesht një qorr, ose një i paguar, ose një njeri i leshtë. Ata punojnë bashkë, kanë kapur bashkë shtetin, i japin siguri të plotë njëri-tjetrit, mbrojnë njëri-tjetrin, garantojnë ekzistencën e njëri-tjetrit, dhe alternimin e ndërsjellë në pushtet.
Kur flasim për partitë e vjetra, ju vijoni të mendoni se PS dhe Rilindja janë dy gjëra të ndryshme?
Rilindja nuk i ka lënë gjë PS-së, në bazën e PS ka shumë njerëz ët mirë. por PS është e uzurpuar totalisht nga Rilindja, dhe është e kriminalizuar. PS-së nuk i ka mbetur gjë, përveç atyre njerëzve të thjeshtë dhe militantëve të thjeshtë, të cilët janë një parti tjetër. Siç kam thënë kemi dy PS. Sot PS vjedh zgjedhjet njëlloj si Saliu, kriminalizon zgjedhjet njësoj si Saliu, madje ia ka kaluar Saliut. Qeverisja e saj ka shkatërruar liritë ekonomike në Shqipëri, njësoj dhe më keq se Saliu. Ka ndërtuar gjithë këtë sistem monopolesh që sundojnë vendin, njësoj si Saliu, e kështu me radhë.
Rasti “Xhafaj” a konsiderohet si skandal?
PD dhe Rilindja edhe në çështjen e Xhafajt janë bashkë. Unë e kam deklaruar dhe e ritheksoj këtu që Rilindja është kundër qenies së Fatmir Xhafajt ministër i Brendshëm, pasi ai është ndoshta i vetmi deputet atje në PS që nuk vihet në rresht nga Edi Rama. Nuk them se është një model që duhet ta prezantoj, unë nuk e kam model. Nuk e predikoj si model të politikanit të ri të Shqipërisë, por duhet të përshkruajë të vërtetën siç është. Në krye të Policisë së Shtetit, ai ia ka hequr nga thonjtë mafies së Edi Ramës, përfshi dhe partive të vjetra të kriminalizuara, kontrollin mbi strukturat e rendit të Shqipërisë. Dhe këto struktura, Xhafaj i ka vendosur në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Pse Rama e mbron Xhafajn?
Rama nuk e mbron, por e lufton. Bën sikur e mbron.
Mund ta shkarkonte?
Nuk e merr dot atë faturë përsipër, sepse është i diskredituar kudo. Në gjithë botën e dinë që ky është një drogmen i përfshirë vetë. E dinë të gjithë që Saimir Tahiri ishte një punonjës i tij në drejtimin e kartelit të marijuanës në Shqipëri. E dinë të gjithë drejtorët e policisë, dhe të gjithë shefat e policisë, pasi ishin të urdhëruar të merreshin me këtë. Nuk është se ata u thirrën nga mafiozët, por i thirrët këta mafiozët nën urdhra për të bërë atë që bënë me Shqipërinë. Dhe kjo është e vërteta.
Pra ju nuk mendoni se ka një vazhdimësi mes rastit “Tahiri” dhe rastit “Xhafaj”, sikurse deklaron opozita. Ka vërtetësi në deklaratat e opozitës?
S’ka asnjë lidhje në këto dy histori. Gjërat duhen parë në kontekstin e situatës në të cilën jemi. Në kohën kur këta bëjnë gjithçka për ta mbajtur peng, siç po e mbajnë peng Shqipërinë, pasi PD dhe Rilindja bëjnë çmos për të penguar reformën zgjedhore, për të bllokuar situatën e Shqipërisë, dhe bëjnë sot gjithë këtë luftë ndaj Fatmir Xhafajt. Kanë harruar çdo gjë tjetër, nuk ekziston asgjë tjetër në Shqipëri, përveçse historia e shkuar e vëllait të Fatmir Xhafajt, për të cilin “Zgjidhja” ka qenë shumë e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Kush ka përgjegjësi penale, merr përgjegjësi penale.