AKTUALITET, 21 Maj 2018, 18:48

VIDEO/ “Dil përjashta, shko bëje te PD këtë”, Braçe e nxjerr nga mbledhja, reagon gazetarja: Beji ekspertizën nëse qesha

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, ndërsa ka qenë duke zhvilluar mbledhjen e radhës, ka nxjerrë nga salla gazetaren Esiona Konomi, pasi kjo e fundit sipas Brçes ka qeshur gjatë fjalës së tij.

Më parë Braçe i ka tërhequr vëmendjen gazetares Marsela Karapanço, e cila po ashtu është dëgjuar të qeshë, së cilës më pas i është drejtuar duke i thënë: Mos rënko ti aty.

Menjëherë më pas, ai i ka kërkuar Konomit që të dalë nga salla.

“Ti me syze, dil pak përjashta, dil përjashta që të kuptosh se ka etikë këtu. Shkoj bëje te PD këtë që bëre këtu’’, i është drejtuar Braçe gazetares së Report Tv.

Të dyja gazetaret kanë dalë jashtë në heshtje, ndërsa të tjerët vazhduan të ndjekin Komisionin e Ekonomisë.

Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook, Konomi ka reaguar lidhur me këtë ngjarje duke shkruar se “nuk ka qeshur”.

“Por i sugjeroj kryetarit të këtij komisioni, ta dërgojë audion e komisionit për ekspertizë tek agjencia e specializuar ku kryetari i partisë së tij dërgoi të hënën e shkuar materialin e “Agronit”, për të marrë me shpejtësi përgjigjen nëse qesha apo jo…”, shkruan Esiona.

“Deklaroj se pas kësaj ngjarjeje edhe kam qarë në korridoret e Kuvendit… Mbase meritoj dënim edhe për këtè “, ka përfunduar postimin e saj në rrjetet sociale gazetarja.28378195_1839335426140000_7155386292053032269_n

Postimi i plotë:

Meqë unë paskam qeshur sot në Komisionin e Ekonomisë, në mbështetje të një batute të koleges sime, Marsela Karapanço, dhe për këtë mora dënimin kapital të nxjerrjes jashtë komisionit në mënyrë demonstrative, deklaroj se nuk kam qeshur…

Por i sugjeroj kryetarit të këtij komisioni, ta dërgojë audion e komisionit për ekspertizë tek agjencia e specializuar ku kryetari i partisë së tij dërgoi të hënën e shkuar materialin e “Agronit”, për të marrë me shpejtësi përgjigjen nëse qesha apo jo…

Pastaj të mbledhim Byronë e Kuvendit, të analizojë përgjigjen dhe të vendosë nëse buzëqeshja ime meriton dhe ndëshkim më të lartë, siç mund të jetë “ndalimi i hyrjes sime në Komisionin e Ekonomisë”, sikundërse sot “urdhëroi” zoti Braçe.

P.S. Deklaroj se pas kësaj ngjarjeje edhe kam qarë në korridoret e Kuvendit… Mbase meritoj dënim edhe për këtè