AKTUALITET, 10 Mars 2018, 11:21

VIDEO/ Deutsche Welle: Si funksionon mafia e drogës në Shqipëri

VIDEO/ Deutsche Welle: Si funksionon mafia e drogës në Shqipëri

Kultivimi në sasi të mëdha të kanabisit në Shqipëri, dhe eksporti i tij drejt vendeve të BE-së është rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes.

Këtë radhë është “Deutsche Welle” që i ka kushtuar një dokumentar të zgjeruar, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt BE-së.

Dokumentari, i gjatë rreth 43 minuta, është realizuar gjatë vitit 2017, por është publikuar më 4 Mars.

“Kanabisi është një industri me vlerë miliarda euro për mafian shqiptare. Ky shtet i vogël ballkanik është një nga prodhuesit kryesorë të drogës në botë.” theksohet që në nisje të dokumentarit.

Siç edhe mund të shihet nga pamjet, gazetarët e DW të shoqëruar edhe nga agjentët e Guardia di Finanza, kanë ndjekur nga afër aksione në det dhe në ajër. Ndërsa lidhur me këtë fenomen janë pyetur edhe Kryeministri Edi Rama, gazetari Artan Hoxha si dhe ish-zyrtari i policisë Dritan Zagani.

Reportazhi nënvizon faktin se si sot vendi ynë, është kthyer në kultivuesin kryesor të naroktikëve në Europë, dhe kjo sipas DW, falë korrupsionit politik, gjyqësorit të dobët, dhe lidhjeve të mafias deri në kupolën e shtetit.

“E vendosur në Ballkanin juglindor, Shqipëria ka një popullsi prej më pak se tre milionë banorë. Klima, me deri në 300 ditë të diellit në vit, është ideale për bimësinë e kanabisit, e cila ka origjinën në Azinë qendrore. Korrupsioni politik, një gjyqësor i dobët dhe varfëri e përhapur, megjithatë, kanë shërbyer për të rritur kultivimin ilegal dhe tregtinë e drogës. Ndryshimet që ndodhën në fillim të viteve 1990, kur Shqipëria u shndërrua nga një regjim totalitar në një demokraci, u karakterizua nga trazirat e dhunshme dhe nga paligjshmëria. Klanet e mafies me lidhje me qarqet më të larta politike bënë përfitime masive nga trafikimi i njerëzve dhe kontrabanda e cigareve, armëve dhe heroinës. Kjo ishte edhe koha kur filloi kultivimi në shkallë të gjerë i kanabisit. Luginat e thella malore janë të vështira për policinë për t’u patrulluar.” Thuhet në reportazh nga gazetarët gjermanë.

Në fund, DW shtron pyetjen:  Megjithëse qeveria shqiptare ka shpallur luftë kundër mafias së kanabisit, e ndodhur nën presion nga Bashkimi Evropian, si ka mundësi që një sasi kaq e madhe kanabisi kalon Adriatikun, hyn në Itali dhe më pas në vende të tjera të BE?

https://www.youtube.com/watch?v=8r-D0QMeADQ